KORREKT / SOT26 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Flasin nga Grupi Strategjik pas takimit: Ligji për Gjykatën Speciale pritet të vijë së shpejti në Kuvend, synojmë pajtimin e të gjitha partive

Flasin nga Grupi Strategjik pas takimit: Ligji për Gjykatën Speciale pritet të vijë së shpejti në Kuvend, synojmë pajtimin e të gjitha partive

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka bërë të ditur se projektligji lidhur me Gjykatën Speciale pritet të procedohet së shpejti për shqyrtim në Kuvendin e Kosovës.

Duke folur para mediave, Hoxhaj ka theksuar se Grupi Strategjik synon që për këtë çështje të arrihet një pajtim ndërmjet të gjitha subjekteve politike, në mënyrë që ligji të marrë mbështetje sa më të gjerë parlamentare, transmeton lajmi.net.

Ai ka ritheksuar qëndrimin e tij se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë dhe se, sipas tij, historia e çlirimit të Kosovës nuk duhet të barazohet me krimin.

“Lufta jonë ka qenë e drejtë, lufta jonë ka qenë e pastër, liria jonë nuk është krim. Pavarësia e Kosovës nuk është ndërmarrje e përbashkët kriminale dhe ne nuk do të lëmë gur pa lëvizur pa e miratuar këtë ligj në Kuvend të Kosovës”, ka deklaruar Hoxhaj.

Ai ka bërë të ditur se për këtë çështje do të ketë edhe konsultime me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, por ka nënvizuar se këto takime nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht pranimin e qëndrimeve të tyre.

“Bashkimin Evropian ne do ta takojmë, do të konsultohemi, por nuk do të thotë që do ta dëgjojmë”, është shprehur deputeti i PDK-së.

Hoxhaj ka folur edhe për reagimet ndërkombëtare pas verdiktit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke thënë se gjatë kontakteve të tij me diplomatë dhe zyrtarë të huaj ka vërejtur se një pjesë e tyre nuk janë të njohur me përmbajtjen e plotë të vendimit.

Ai ka kundërshtuar mënyrën se si, sipas tij, disa diplomatë po i trajtojnë zhvillimet rreth këtij procesi, duke e cilësuar presionin ndaj institucioneve të Kosovës si të papërshtatshëm.

“Ne nuk i ikim drejtësisë. Ne nuk kemi se çfarë fshehim”, ka deklaruar Hoxhaj, duke shprehur bindjen në pafajësinë e ish-udhëheqësve të UÇK-së.

Në këtë kontekst, ai ka përmendur edhe bashkëpunimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit me vendet perëndimore gjatë proceseve që çuan drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Sipas Hoxhajt, Kosova duhet të vazhdojë të mbrojë qëndrimet e saj përmes mjeteve demokratike dhe në përputhje me parimet e partneritetit me Perëndimin.

“Do të luftojmë me mënyra dhe me mjete perëndimore demokratike në raport me një proces të tillë dhe s’ka kush neve që na tregon, si deputetë të Kuvendit të Kosovës, se çfarë duhet të bëjmë”, ka përfunduar ai./lajmi.net/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.