Federata e Futbollit e Kosovës ka dalë me komunikatë për gjendjen e mbrojtësit Albian Hajdari, duke konfirmuar se ai nuk do të jetë në dispozicion për ndeshjen e sotme ndaj Austrisë.
Hajdari pësoi lëndim në ndeshjen e fundit të Kosovës kundër Irlandës. Përkundër përpjekjeve maksimale të stafit mjekësor dhe punës intensive gjatë ditëve të fundit për ta rikuperuar në kohë, koha në dispozicion nuk ka qenë e mjaftueshme që mbrojtësi të jetë i gatshëm për sfidën në Vjenë.
Sipas FFK-së, edhe vetë Hajdari ka shprehur dëshirë të madhe për të qenë në fushë dhe për ta ndihmuar ekipin në këtë përballje të rëndësishme, por pas ekzaminimeve mjekësore është konstatuar se ai nuk mund të aktivizohet.
Hajdari do të vazhdojë të jetë nën përkujdesjen e stafit mjekësor të Kombëtares, me fokus në rikuperimin e plotë të tij.
Në mungesë të Hajdarit, në formacionin e Kosovës pritet të ketë ndryshim në repartin defensiv.
Ron Raçi pritet të marrë vendin e tij në qendër të mbrojtjes dhe të luajë përkrah Lumbardh Dellovës dhe Ilir Krasniqit. /Telegrafi/