Drejtori i Institutit Octopus, Arben Fetoshi, ka reaguar lidhur me protestat e fundit në Tiranë, duke ngritur shqetësime për mundësinë që dhuna dhe eskalimi i situatës të shfrytëzohen për destabilizimin e Shqipërisë.
Në një postim në Facebook, Fetoshi ka theksuar se, përtej kërkesave legjitime të protestuesve dhe të drejtës demokratike për të protestuar, djegia e institucioneve, shkatërrimi i pronave dhe përplasjet e dhunshme nuk mund të shihen vetëm si shprehje e pakënaqësisë ndaj qeverisë.
Sipas tij, eskalimi i protestave mund të jetë në interes të asaj që e cilëson si “bosht anti-perëndimor” dhe agjendë anti-shqiptare në Ballkan.
Fetoshi ka përmendur edhe mundësinë e një agjende destabilizuese, duke kërkuar që situata të shqyrtohet nga perspektiva e luftës hibride.
Ai ka përmendur strategjinë e Serbisë ndaj Kosovës, interesat e Moskës për pengimin e integrimit euro-atlantik të rajonit, si dhe ndërhyrjet e mundshme të aktorëve të tjerë të jashtëm ndaj Shqipërisë.
Drejtori i Institutit Octopus ka vënë në dukje edhe mënyrën se si mediat serbe dhe ruse i kanë paraqitur protestat, duke përdorur terma si “kaos” dhe “zonë lufte”, si dhe ndërlidhjen e tyre me të ashtuquajturin “Revolucioni i Flamingove” dhe investimin e Jared Kushnerit.
Sipas Fetoshit, këto zhvillime dhe rastet e manipulimit informativ imponojnë nevojën për të hetuar mundësinë e një agjende destabilizuese.
Ai ka theksuar se çështja nuk duhet të reduktohet vetëm te mundësia e largimit të kryeministrit Edi Rama nga pushteti, por te pasojat që dhuna mund të ketë për vendin.
“Pra, nuk ka shumë rëndësi nëse rrëzohet Edi Rama, por kurrsesi duke e rrëzuar Shqipërinë”, ka shkruar Fetoshi.
Në fund, ai ka bërë thirrje që protestat dhe zhvillimet në Shqipëri të shihen përtej përplasjes politike, duke ngritur pyetjen se kujt i shërbejnë dhuna, anarkia dhe destabilizimi.

