Drejtori i Institutit Octopus, Arben Fetoshi, ka reaguar ndaj dekorimit të ish-gjyqtares hetuese serbe Danica Marinkoviq nga Kisha Ortodokse Serbe, duke e cilësuar këtë veprim si vazhdim të politikës së regjimit të ish-presidentit serb, Slobodan Millosheviq.
Në një postim në Facebook, Fetoshi ka shkruar se, 27 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, Serbia vazhdon të mohojë përgjegjësinë për krimet e luftës dhe, sipas tij, po i heroizon figurat që kanë qenë pjesë e kësaj politike.
Ai ka theksuar se dekorimi i Marinkoviqit me Urdhrin e Shën Savës nga Patriarku Porfirije, si dhe heroizimi i Milan Radoiçiqit nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, nuk janë raste të izoluara, por pjesë e një strategjie për të legjitimuar narrativën serbe mbi luftën në Kosovë.
Sipas Fetoshit, Marinkoviq, të cilën ai e përshkruan si person që ka “legalizuar” krimet e luftës dhe ka falsifikuar të vërtetën për masakrën e Reçakut, është dekoruar si “shërbyese e së vërtetës dhe drejtësisë”, ndërsa autoritetet serbe po e paraqesin këtë si mbrojtje të viktimave serbe.
Fetoshi vlerëson se këto veprime përfaqësojnë vazhdimësinë e politikës së dhunës dhe rolin e Kishës Ortodokse Serbe në legjitimimin e saj, duke shtuar se dekorimi i Marinkoviqit “e sakralizon trashëgiminë gjenocidale të Serbisë”, ndërsa heroizimi i Radoiçiqit “e legjitimon vazhdimin e dhunës për qëllimet e politikës hegjemoniste”.
Në fund, ai ka bërë thirrje që Serbia të ekspozohet vazhdimisht në qendrat ndërkombëtare të vendimmarrjes, përfshirë Uashingtonin, Brukselin dhe Londrën, por edhe në Tiranë, Shkup dhe Podgoricë.
