Festivalet muzikore në Ballkanin Perëndimor po dëshmojnë se nuk janë vetëm ngjarje kulturore, por edhe motorë të rëndësishëm ekonomikë që ndikojnë në turizëm, akomodim, gastronomi, transport dhe promovimin ndërkombëtar të vendeve.
Sipas një analize të publikuar nga Data4X, tetë festivalet kryesore në gjashtë shtete të rajonit tërheqin rreth 500 mijë vizitorë gjatë një sezoni veror, duke gjeneruar miliona euro ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomitë lokale.
Studimi krahason festivalet kryesore në Shqipëri, Kosovë, Serbi, Mal të Zi dhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, duke analizuar numrin e vizitorëve, ndikimin ekonomik të raportuar, shpenzimin mesatar për vizitor dhe kërkesën për akomodim.
Në Kosovë, Sunny Hill Festival rezulton ndër festivalet me ndikimin më të lartë ekonomik për vizitor.
Sipas të dhënave, festivali tërheq rreth 100 mijë vizitorë, gjeneron 22 milionë euro ndikim ekonomik direkt, ndërsa shpenzimi mesatar arrin në 220 euro për vizitor.
Sipas të dhënave të Data4X, ndikimi i festivaleve reflektohet edhe në sektorin e akomodimit.
Gjatë javës së Sunny Hill Festival, çmimet e akomodimit në Prishtinë rriten mesatarisht 2.8 herë, ndërsa kërkesa për akomodim rritet me 44% gjatë fundjavës së festivalit, duke dëshmuar efektin e drejtpërdrejtë që ngjarjet e mëdha kulturore kanë në industrinë e turizmit dhe shërbimeve.
Në Shqipëri, festivali UNUM regjistron rreth 60 mijë vizitorë dhe një ndikim ekonomik prej 8 milionë eurosh, me një shpenzim mesatar prej 133 euro për vizitor.
Ndërkohë, festivali EXIT në Serbi mbetet një nga ngjarjet më të mëdha në rajon, me rreth 210 mijë vizitorë, mbi 23.7 milionë euro ndikim ekonomik direkt dhe një shpenzim mesatar prej 113 eurosh për vizitor.
Sipas analizës, edhe festivali Sea Dance në Mal të Zi gjeneron rreth 7 milionë euro ndikim ekonomik, me një mesatare prej 175 eurosh për vizitor.
Analiza e Data4X përfshin edhe festivalin Jelen OK Fest në Bosnje dhe Hercegovinë, i cili tërheq rreth 30 mijë vizitorë çdo vit.
Në Maqedoninë e Veriut, D Festival regjistron rreth 40 mijë vizitorë.
Data4X thekson se fuqia ekonomike e një festivali nuk matet vetëm me numrin e pjesëmarrësve, por edhe me shpenzimet që ata bëjnë, kohëzgjatjen e qëndrimit dhe përfitimet që mbeten te bizneset lokale. /Telegrafi/
