Një festim golash i mesfushorit Felix Nmecha ka shkaktuar polemika në Gjermani, duke nxitur reagime edhe nga tifozët e Borussia Dortmundit.
Futbollisti festoi dy golat e shënuar ndaj Elversbergut duke vendosur mbi kokë një kurorë, në një gjest të njohur si “Kthimi i Mbretit”, shkruan Indeksonline.
Megjithatë, reagimet nuk vonuan. Nmecha është pjesë e grupimit “Lojtarët në Zot”, të themeluar nga ish-futbollisti i Crystal Palace, John Bostock. Sipas një investigimi të televizionit ARD, ky grup ka shfaqur qëndrime homofobike dhe diskriminuese.
Shoqata e tifozëve të Dortmundit reagoi ndaj kësaj situate, duke theksuar se qëndrime të tilla janë në kundërshtim me vlerat e klubit.
“Qëndrime të tilla bien ndesh me vlerat e tolerancës dhe respektit për diversitetin të Borussia Dortmundit”, thuhet në reagimin e tifozëve.
Nga ana tjetër, grupimi “Lojtarët në Zot” u mbrojt duke deklaruar se synimi i tyre është të përcjellin dashuri dhe respekt për të gjithë.
Vetë Nmecha foli për një keqkuptim, duke mohuar se festimi i tij kishte ndonjë prapavijë diskriminuese.
“Nuk kishte asnjë qëllim për të promovuar intolerancën, diskriminimin apo urrejtjen në çfarëdo forme”, deklaroi mesfushori. /IndeksOnline/

