Konispoli po promovon potencialin e tij bujqësor dhe traditën shumëvjeçare të kultivimit të agrumeve përmes edicionit të 20-të të Festës së Mandarinës, një aktivitet që bashkon fermerë, prodhues, banorë dhe vizitorë vendas e të huaj.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ndau në rrjetet sociale momente nga festa, duke vënë në dukje rëndësinë e promovimit të prodhimeve vendase, traditave dhe kulturës së zonës.
Konispoli është një nga zonat më të njohura në Shqipëri për kultivimin e mandarinave dhe agrumeve, falë kushteve të favorshme klimatike, tokave pjellore dhe traditës së fermerëve.
Prodhimi i mandarinës përbën një burim të rëndësishëm të ardhurash për ekonominë familjare dhe një nga aktivitetet kryesore bujqësore të zonës.
Kultivimi i agrumeve ka krijuar ndër vite një profil të veçantë ekonomik për Konispolin, ndërsa mandarina është kthyer në një produkt përfaqësues të kësaj treve, me potencial për tregun vendas dhe atë të eksportit. Për fermerët, sezoni i vjeljes përfaqëson kulmin e një pune disa mujore, nga mirëmbajtja e pemëtoreve deri te mbledhja dhe tregtimi i prodhimit.
Festa e kthyer në traditë tashmë vijon të tërheq vëmendjen jo vetëm të vizitorëve vendas por edhe turistëve të huaj.
Një grup të rinjsh nga Australia, Argjentina dhe Brazili, iu bashkuan aktivitetit për të njohur traditat dhe për të shijuar prodhimet karakteristike të zonës.
Luka, një prej vizitorëve të huaj, u shpreh i kënaqur që mori pjesë në festë dhe pati mundësinë të provonte produktet tradicionale, veçanërisht mandarinat.
Një 27-vjeçar nga Argjentina tha se kishte ardhur në Shqipëri për të eksploruar vendin dhe për të krijuar kontakte me shqiptarët, ndërsa një i ri nga Brazili, në vizitën e tij të parë në Shqipëri, u shpreh i impresionuar nga vendi dhe nga aktiviteti kushtuar mandarinës.
Përtej promovimit të një produkti bujqësor, Festa e Mandarinës synon të ndërthurë bujqësinë me turizmin rural, gastronominë dhe trashëgiminë kulturore, duke krijuar mundësi të reja për promovimin e Konispolit dhe prodhimeve të tij.
Edicioni i 20-të i kësaj feste dëshmon se mandarina nuk është vetëm një produkt i rëndësishëm i ekonomisë lokale, por edhe një simbol i identitetit dhe mikpritjes së Konispolit.

