Nxehtësia e lartë gjatë korrikut dhe gushtit ka ndikuar që prodhimet bujqësore, veçmas ato të perimeve, të jenë paksa më të ulëta. Fermerët e Anadrinisë janë shprehur të kënaqur me prodhimin, por jo edhe me çmimin e tregut dhe çmimet e larta të farës, plehut dhe derivateve të naftës.
Nxehtësia e lartë që mbretëroi gjatë korrikut dhe gushtit të këtij viti ka bërë që prodhimet bujqësore, veçmas ato të perimeve, të jenë paksa më të ulëta. Megjithatë, fermerët e Anadrinisë, të cilët këto ditë produktet e tyre, veçmas ato të specit, po i dorëzojnë në qendrën grumbulluese në Xërxë, janë shprehur të kënaqur.
Mirëpo, të pakënaqur janë shprehur me çmimin e tregut, sepse sipas tyre, çmimet e farës, plehut e sidomos derivateve të naftës janë shumë të larta.
“Janë ba mirë, prodhim ka shumë, por me çmimin jo fort të kënaqshëm, sepse duhet me qenë ma i mirë. Nafta ka qenë 1.74, plehun e kemi ble 19,20 euro, pastaj puna, pesticidet janë shtrenjtë e ne patjetër duhet me i spërkatë, sepse po lajmërohen sëmundje të ndryshme e duhet me u ndejtë gati, se kur të kujdeshesh është malli kështu siç është”, tha Tefik Popaj, fermer.
“Për prodhim jemi të kënaqur, kemi 1 h e 30 ari speca, edhe grurë e të gjitha i mbjellim ngapak, po sivjet jemi dëmtuar pak se ka pasur të reshura në fund të korrikut. Çmimi i derivateve është shumë i lartë, po te Agrocelina e kemi mallin e garantuar, e bimë qe 15 vite, kështu që jemi të kënaqur”, deklaroi Shaban Morina, fermer.
E me mbarëvajtjen e eksportit dhe prodhimin e perimeve janë shprehur të kënaqur edhe përfaqësuesit e Qendrës grumbulluese.
“Muaji korrik dhe gushti kanë qenë muajt më të nxehtë, pra si sezon ka qenë e nxehtë, por rendimenti ka qenë i kënaqshëm dhe fermerët kanë qenë shumë të kënaqur me produktin e tyre dhe me çmimet. Tash ne po hyjmë në dekadën e tretë të eksportimit të prodhimit si qendër eksportuese, tani jemi në fazën finale ku deri kah mesi i muajit tetor sigurisht që ne do ta përfundojmë eksportin e prodhimeve tona dhe ky eksport përditë e më shumë po rritet”, theksoi Feim Rexhepi, menaxher QG.
Mirëpo, sipas Rexhepit, sfidë kryesore e fermerëve mbesin çmimet e larta të derivateve të naftës, farërave, herbicideve dhe plehrave artificiale, e po ashtu edhe mungesa e krahut të punës, i cili po zvogëlohet dita-ditës si pasojë e migrimit të gjeneratave të reja./RTK