Një video e publikuar nga gazetari Blendi Fevziu nga Gjiri i Lalzit ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, pasi në pamje duket një fenomen i pazakontë mbi sipërfaqen e detit.
Fevziu e ka shpërndarë videon me përshkrimin: “Fenomen i çuditshëm në Gjirin e Lalzit. Kush e shpjegon?”, ndërsa ka bërë të ditur se pamjet janë realizuar nga Enxhi Ferhati.
Videoja ka marrë qindra komente, me shumë përdorues që kanë dhënë shpjegime për atë që duket si një formë e deformuar e horizontit mbi det.
Disa komentues kanë sqaruar se bëhet fjalë për një fenomen optik të njohur si mirazh detar, ose Fata Morgana, i cili krijohet si pasojë e përthyerjes së dritës në shtresa ajri me temperatura të ndryshme.
“Është mirazh detar, njihet rëndom nga marinarët si Fata Morgana. Janë shtresëzime ajri me temperatura të ndryshme mes njëra-tjetrës dhe përthyejnë dritën në mënyrë jo të zakonshme”, ka komentuar Genci Kojdheli.
Edhe komentuesi Elton Çanaj ka dhënë një shpjegim të ngjashëm, duke theksuar se fenomeni ndodh kur rryma të ftohta ajri kalojnë mbi ujë të ngrohtë, duke shkaktuar deformimin e pamjes së horizontit.
“Rryma të ftohta ajri mbi det të nxehtë përthyejnë dritën dhe e fragmentojnë. Në Adriatik ndodh shpesh. I bën anijet të duken sikur fluturojnë. Ndodh edhe në Vlorë”, ka shkruar ai.
Çka është Fata Morgana?
Fata Morgana është një lloj mirazhi optik kompleks që ndodh në atmosferë, kur drita përthyhet në mënyrë të pazakontë për shkak të shtresave të ajrit me temperatura të ndryshme.
Ky fenomen krijohet zakonisht mbi det, liqene ose zona të mëdha të sheshta, kur një shtresë ajri shumë e ftohtë ose e ngrohtë ndodhet mbi një shtresë tjetër me temperaturë të ndryshme.
Ndryshimi i temperaturave bën që rrezet e dritës të përkulen dhe të krijojnë pamje të deformuara të objekteve në horizont.
Si rezultat, njerëzit mund të shohin anije që duken sikur fluturojnë mbi ujë, ishuj, ndërtesa ose qytete që duken sikur ngrihen mbi horizont, objekte të zgjatura ose të shtrembëruara që në realitet janë shumë më larg.
Emri Fata Morgana vjen nga legjenda e Morgana le Fay, një figurë mitologjike e lidhur me magjinë në traditën mesjetare. Fenomeni është përmendur veçanërisht nga marinarët në Ngushticën e Mesinës mes Italisë dhe Siçilisë, ku besohej se shfaqeshin kështjella të “varura” mbi det.
Në aspektin shkencor, Fata Morgana është një kombinim i mirazhit superior dhe efekteve të tjera atmosferike.
Nuk është iluzion i syrit, por një deformim real i dritës që kamera dhe syri i njeriut mund ta kapin.
Në rastin e Gjirit të Lalzit, shpjegimi më i mundshëm është se kushtet atmosferike mbi Adriatik kanë krijuar një shtresëzim ajri që ka përthyer dritën dhe ka deformuar pamjen e horizontit për disa minuta./Telegrafi.
