Pas raportimeve të shumta në media dhe rrjete sociale për një incident të ndodhur gjatë një seance stërvitore te Real Madridi, protagonisti i përfshirë, Federico Valverde, ka reaguar publikisht përmes një deklarate të gjatë, duke mohuar kategorikisht se ka pasur përleshje fizike me bashkëlojtarin e tij.
Ai sqaroi se tensioni i krijuar ishte rezultat i lodhjes, frustrimit dhe presionit të madh që po kalon skuadra pas një sezoni pa trofe, ndërsa theksoi se incidenti është ekzagjeruar dhe po përdoret për të krijuar thashetheme e spekulime të panevojshme.
Në reagimin e tij, Valverde deklaroi:
“Dje pata një incident me një bashkëlojtar gjatë një seance stërvitore. Lodhja nga garat dhe frustrimi bënë që gjithçka të dukej më e madhe seç ishte në të vërtetë. Në një dhomë zhveshjeje normale, këto gjëra ndodhin dhe zakonisht zgjidhen brenda ekipit pa u bërë publike”.
Është e qartë se dikush po përhap thashetheme dhe, në një sezon pa tituj ku Real Madridi është gjithmonë nën vëzhgim, gjithçka po fryhet më shumë seç duhet.
Sot patëm një tjetër mosmarrëveshje. Gjatë debatit godita pa dashje një tavolinë, duke pësuar një prerje të vogël në ballë që kërkoi një vizitë rutinë në spital.
Në asnjë moment bashkëlojtari im nuk më goditi dhe as unë atë. E kuptoj që është më e lehtë të besohet se pati përleshje apo se gjithçka ishte e qëllimshme, por kjo nuk ndodhi.
Ndihem se zemërimi im për situatën dhe frustrimi që shoh disa prej nesh duke luftuar deri në fund të sezonit, duke dhënë maksimumin, më çuan deri te debati me një bashkëlojtar.
Më vjen keq. Më vjen sinqerisht keq, sepse kjo situatë më lëndon. Ky moment që po kalojmë është i dhimbshëm. Real Madridi është një nga gjërat më të rëndësishme në jetën time dhe nuk mund të jem indiferent ndaj kësaj.
E gjithë kjo është rezultat i një grumbullimi emocionesh që kulmuan në një debat pa kuptim, duke dëmtuar imazhin tim dhe duke lënë hapësirë për shpifje e histori të fabrikuara.
Nuk kam asnjë dyshim se çdo mosmarrëveshje që mund të kemi jashtë fushës pushon së ekzistuari brenda saj dhe, nëse duhet ta mbroj këtë fanellë në stadium, do të jem i pari që do ta bëj.
Nuk doja të flisja deri në fund të sezonit. U eliminuam nga Liga e Kampionëve dhe e mbajta zemërimin dhe zhgënjimin për vete. Kemi humbur një tjetër vit dhe nuk ndihesha në pozicion për të postuar në rrjete sociale, kur e vetmja gjë që duhej të tregoja ishte performanca ime në fushë.
Prandaj jam personi më i trishtuar dhe më i prekur nga kjo situatë, e cila më pengon të luaj ndeshjen e ardhshme për shkak të vendimeve mjekësore. Gjithmonë kam dhënë maksimumin deri në fund dhe më dhemb më shumë se këdo që nuk do të jem në gjendje ta bëj këtë.
Jam në dispozicion të klubit dhe bashkëlojtarëve të mi për të bashkëpunuar në çdo vendim që ata e konsiderojnë të nevojshëm”, shkruan Valverde në deklaratën e tij në rrjetin social, Instagram.
Reagimi i tij erdhi pasi në media qarkulluan raportime për një konflikt të ashpër mes dy futbollistëve gjatë stërvitjes, madje disa zëra pretenduan se situata kishte degraduar në përleshje fizike.
Megjithatë, në deklaratën e tij ai mohoi çdo version të tillë dhe insistoi se incidenti ishte thjesht një debat i nxitur nga tensioni dhe presioni sportiv.
Gjithashtu, futbollisti kritikoi mënyrën se si situata është trajtuar publikisht, duke lënë të kuptohet se informacionet nga brenda klubit po rrjedhin në media dhe po përdoren për të krijuar narrativa negative rreth ekipit në një periudhë të vështirë sportive për Real Madridin. /Telegrafi/