Klubi i futbollit për vajza, 2 Korriku, e ka përmbyllur në mënyrën më të mirë edicionin garues 2025/26, duke fituar dy trofe të rëndësishëm. Ekipi i senioreve u shpall kampion i Ligës së Parë dhe siguroi promovimin në Superligë, derisa ekipi i junioreve fitoi titullin e kampionit në BPB Ligën U17 –Grupi A.
Në ndeshjen e fundit të Ligës së Parë, skuadra kryeqytetase shënoi fitore bindëse ndaj Vizionit me rezultat 6:1. Shkëlqeu Elda Nuredini me tre gola, ndërsa nga një gol e shtuan edhe Agnesa Krasniqi, Anisa Meha dhe Laureta Tahiri. Golin e vetëm për Vizionin e shënoi Vjosana Rexhepi.
Pas përfundimit të ndeshjes u organizua ceremonia e ndarjes së trofeve dhe medaljeve për ekipet kampione të FC 2 Korrikut në kategorinë e senioreve dhe atë U17. Medaljet dhe kupat u ndanë nga anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, Vjollca Krasniqi dhe Ismajl Ajeti, si dhe nga Valbona Gashi Uka e Lendita Cena.
Me këtë rast, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka uruar klubin për suksesin e arritur.
“Ky sukses është rezultat i një pune të përkushtuar, vizionit të qartë dhe angazhimit të vazhdueshëm për zhvillimin e futbollit të vajzave. Krahas akademisë së suksesshme ndër vite në futbollin e djemve, FC 2 Korriku që nga viti 2020 ka nisur punën edhe me talentet vajza të kryeqytetit, duke ndërtuar një ekip konkurrues dhe tashmë pjesë të elitës së futbollit kosovar. Përgëzime për futbollistet, trajnerët, stafin drejtues dhe të gjithë ata që kontribuuan në këtë rrugëtim të suksesshëm. Ky sukses është dëshmi se puna me talentet dhe përkushtimi afatgjatë gjithmonë shpërblehen. Ju dëshiroj shumë suksese në Superligë dhe një rrugëtim me rezultate e arritje të reja në futbollin e vajzave. Urime!”, ka shkruar Ademi në rrjete sociale.