Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka përkujtuar Faruk Spahiun, kryetarin e parë të Mitrovicës pas luftës, në 21-vjetorin e vdekjes së tij.
Peci ka shkruar se Spahiu, i cili ndërroi jetë pa e përfunduar mandatin, ishte bashkëpunëtor i presidentit Ibrahim Rugova dhe një figurë e respektuar për kontributin e tij politik dhe institucional.
“Kthjelltësia dhe thellësia e mendimit politik, karizma që e shoqëronte, virtytet njerëzore e bënin person të dashur e të respektuar në çdo ambient”, ka shkruar Peci.
Ai ka kujtuar edhe raportin personal me Spahiun, duke thënë se kishte pasur fatin dhe nderin të ishte pranë tij si i ri dhe ta kishte atë si burim frymëzimi.
Sipas Pecit, Spahiu gjatë viteve ’90 ishte veprimtar, ndërsa pas luftës shërbeu si kryetar i parë i Mitrovicës. Ai ka vlerësuar edhe prejardhjen e tij nga një familje me tradita patriotike.
“I përjetshëm qoftë kujtimi i tij për angazhimin patriotik dhe rolin e tij në ndërtimin e institucioneve qendrore dhe lokale”, ka përfunduar Peci. /Telegrafi/