Mediumi ndërkombëtar “Euronews” i ka kushtuar një artikull të veçantë qytetit të Prizrenit, duke e cilësuar atë si një nga qendrat më të rëndësishme kulturore të Kosovës dhe duke rekomanduar një itinerar të plotë për vizitorët se si të kalojnë 24 orë në këtë qytet historik.
Në artikull theksohet se, pavarësisht se Kosova ende renditet ndër destinacionet më pak të vizituara në Evropë, ajo ofron një trashëgimi të pasur kulturore dhe historike që e bën veçanërisht tërheqëse për turistët.
Sipas gazetarit të “Euronews Travel”, Prizreni përfaqëson një nga shembujt më të mirë të këtij potenciali, duke u përshkruar si një qytet ku ndërthuren historia, kultura dhe jeta autentike urbane.
Artikulli e vë theksin te atmosfera e veçantë e qytetit, ku arkitektura osmane, monumentet fetare dhe rrugicat e vjetra krijojnë një peizazh unik që reflekton historinë shumë-shtresore të rajonit. Prizreni përshkruhet si një destinacion që mund të eksplorohet lehtësisht brenda një dite, por që lë përshtypje të thellë te çdo vizitor.
Ndër pikat kryesore të rekomanduara për vizitë përfshihen Ura e Gurit, një nga simbolet më të njohura të qytetit, si dhe Sheshi “Shadërvan”, i cili përbën zemrën e jetës sociale dhe turistike të Prizrenit.
Po ashtu, theksohen Xhamia e Sinan Pashës, një nga monumentet më të rëndësishme të periudhës osmane, dhe Kisha “Zoja e Ljevishës”, e cila përfaqëson trashëgiminë mesjetare dhe multikulturore të qytetit.
Në itinerar përfshihet edhe Kalaja e Prizrenit, e cila ofron pamje panoramike të qytetit dhe rrethinës, duke qenë një nga pikat më të vizituara nga turistët. Gjithashtu rekomandohet vizita në Muzeun e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i cili dokumenton një nga momentet më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare, si dhe Muzeu Arkeologjik i vendosur në një hamam të periudhës osmane, që ruan artefakte me vlerë historike.
Në përmbledhje, “Euronews” e prezanton Prizrenin si një destinacion të rrallë ku historia, kultura dhe mikpritja ndërthuren në një përvojë të vetme, duke e bërë atë një nga qytetet më tërheqëse për vizitorët që kërkojnë autenticitet në Ballkan.
Artikulli ndalet gjithashtu te gastronomia lokale e Prizrenit, duke vënë në pah shijet tradicionale që e karakterizojnë qytetin.
Ndër to përmenden byreku tradicional, pija e njohur boza, si dhe oferta e pasur e bareve dhe restoranteve që gjenden kryesisht në zonën e Shadërvanit, e cila konsiderohet si një nga pikat më të gjalla dhe më të frekuentuara nga vizitorët.
Po ashtu, mediumi ndërkombëtar ofron edhe këshilla praktike për turistët që vizitojnë Kosovën, duke u ndalur te mundësitë e transportit, njohja me kulturën lokale dhe respektimi i traditave shoqërore.
Në veçanti theksohet rëndësia e festave fetare dhe ndikimi i tyre në jetën e përditshme të vendit, si një element që ndihmon vizitorët të kuptojnë më mirë ritmin dhe identitetin kulturor të Kosovës. /Telegrafi/
– YouTube youtu.be
