Në hollin e Qendrës së Kulturës në Mitrovicë, pranë urës së Ibrit, është hapur instalacioni artistik dhe politik “€URAT”, i autorit Fehmi Ferati, përmes të cilit trajtohet historia 27-vjeçare e urës dhe mbyllja e saj për qarkullim normal.
Instalacioni, i zbuluar simbolikisht mbrëmjen e së enjtes, e paraqet urën e Ibrit si një simbol të historisë së gjatë të tensioneve, bllokadave, protestave dhe zhvillimeve politike që e kanë përcjellë Mitrovicën ndër vite.
Ferati e përshkruan strukturën metalike të urës si një “relikt, arkitekturë monotone, gërmadhë moderne”, duke vënë në pikëpyetje kuptimin e një ure që, edhe pas 27 vjetësh, nuk funksionon në mënyrë normale.
Ideja e instalacionit lidhet me kartëmonedhat euro, në të cilat paraqiten ura nga periudha të ndryshme historike, si simbole të lidhjes dhe bashkimit të popujve evropianë. Duke u nisur nga kjo simbolikë, autori ka dizajnuar edhe një kartëmonedhë imagjinare prej 27 eurosh, me imazhin e urës së Ibrit, duke ndërlidhur historinë e saj 27-vjeçare me 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.
Përmes tri temave kryesore, “Protestë artistike”, “Sqarim për të shpjeguar” dhe “Ekzorcizëm”, autori synon të ngrejë pyetje për gjendjen e urës dhe arsyet pse ajo vazhdon të mbetet e mbyllur, ndonëse në ura të tjera mbi Ibër qarkullojnë automjetet dhe këmbësorët.
Në pjesën “Sqarim për të shpjeguar”, Ferati kërkon përgjigje nga faktorët përgjegjës për vazhdimin e kësaj gjendjeje, duke theksuar mungesën e një shpjegimi bindës për qytetarët e Mitrovicës, të cilët përballen vazhdimisht me pyetjen se pse ura nuk është ende e hapur për qarkullim normal.
Instalacioni përfshin edhe një qasje ironike ndaj rolit të institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare, si UNMIK-u, KFOR-i, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat autori i lidh me ndërhyrjet dhe zhvillimet e ndryshme gjatë këtyre viteve.
Ndërkaq, përmes temës “Ekzorcizëm”, Ferati ironizon me simbolikën e urave në kartëmonedhat euro dhe largimin e tyre të paralajmëruar nga qarkullimi, duke sugjeruar që bashkë me to të largohet nga historia edhe kartëmonedha imagjinare prej 27 eurosh, me imazhin e urës së Ibrit, e cila vazhdon të mbetet e mbyllur.
Një tjetër detaj që autori e ka veçuar është anketa e thjeshtë e realizuar gjatë punës për instalacionin. Sipas tij, vetëm 0,5 për qind e qytetarëve të anketuar në Kosovë e dinin se në kartëmonedhat euro paraqiten imazhe të urave.
Instalacioni artistik “€URAT” do të jetë i hapur për publikun deri më 10 nëntor në hollin e Qendrës së Kulturës në Mitrovicë.

