Me vendim të kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, është formuar Shtabi për menaxhimin e situatës me Ethet Hemorragjike Krime-Kongo (EHKK), në funksion të përballimit sa më efikas të rrezikut që paraqet kjo sëmundje, pasi territori i Komunës së Malishevës, vazhdon të llogaritet zonë endemike.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur s kryetari Kastrati ka mbajtur sot një takim me anëtarët e shtabit, ku ka kërkuar angazhim maksimal dhe mobilizim të plotë të të gjitha sektoreve përgjegjëse.
“Në krye të shtabit është emëruar drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, Amrush Helshani, ndërsa pjesëmarrësit kanë raportuar për masat aktuale dhe planet në vijim për parandalimin dhe luftimin e EHKK-së. Gjatë takimit, Kastrati theksoi rëndësinë e zbatimit të përgjegjësive nga secili sektor, në përputhje me Strategjinë Nacionale për Luftimin dhe Parandalimin e EHKK-së. Ai kërkoi gjithashtu monitorim të vazhdueshëm të aktiviteteve në terren, me qëllim mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së qytetarëve”, thuhet në njoftim.
Po ashtu siç bëhet e ditur në njoftim sipas raportimeve të shtabit, gjendja aktuale vlerësohet stabile, pa asnjë rast të konfirmuar të infektimit.
“Aktualisht, në terren po zhvillohet faza e dytë e repelimit të kafshëve, ndërsa gjatë ditëve në vijim pritet të nisin fushata informuese për qytetarët nga ana e QKMF-së, përkatësisht profesionistëve shëndetësor. Po ashtu, javën e ardhshme është planifikuar të fillojë procesi i dezinsektimit në zonat endemike”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/