Estonia ka njoftuar se do të mbyllë të gjitha pikat e kalimit rrugor kufitar me Rusinë, pas një tentative për sabotim që, sipas autoriteteve estoneze, ishte urdhëruar nga inteligjenca ushtarake ruse.
Ministri i Jashtëm estonez, Margus Tsahkna, deklaroi se ekzistojnë “prova të qarta” që agjencia ruse e inteligjencës ushtarake, GRU, kishte urdhëruar një sulm ndaj kompanisë së mbrojtjes Threod Systems, e specializuar në prodhimin e dronëve.
Sipas Shërbimit të Sigurisë së Brendshme të Estonisë, sulmi i planifikuar kishte për qëllim shkaktimin e një shpërthimi dhe vënien e zjarrit në ndërtesën e kompanisë.
Autoritetet estoneze njoftuan se personat e dyshuar janë arrestuar.
“I kemi arrestuar shpejt të dyshuarit. Këshillojmë që të mos merret as në konsideratë pranimi i ofertave të tilla nga Rusia. Pasojat janë serioze”, thuhet në deklaratën e shërbimit të sigurisë.
Ministri Tsahkna bëri të ditur se mbyllja e pikave kufitare do të hyjë në fuqi më 1 dhjetor, duke theksuar se Moska duhet ta kuptojë se veprimet armiqësore kanë pasoja.
“Mbyllja e pikave kufitare do të zvogëlojë aftësinë e Rusisë për të kryer aktivitete armiqësore në Estoni dhe do të forcojë përpjekjet tona për të parandaluar anashkalimin e sanksioneve”, deklaroi ai. /Telegrafi/

