Franco Foda ka reaguar ndaj kritikave të Ralf Rangnickut për gjendjen e fushës në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke thënë se kushtet janë të njëjta për të dyja skuadrat.
Përzgjedhësi i Kosovës është pyetur në konferencën për shtyp për gjendjen e fushës në stadiumin “Fadil Vokrri”, pasi homologu i tij nga Austria, Ralf Rangnick, ishte ankuar më herët për kushtet e terrenit.
Foda e ka pranuar se fusha nuk është në gjendjen më të mirë, por ka theksuar se kjo nuk përbën avantazh apo disavantazh për asnjërën prej skuadrave.
“Fusha nuk është në gjendje shumë të mirë, për shkak se gjatë verës shumë ekipe kanë luajtur këtu. Ne e dimë që kjo gjendje e fushës vlen për të dyja ekipet. E kuptoj kritikën e Rangnickut”, ka deklaruar Foda.
Në këtë mënyrë, Foda i është përgjigjur deklaratave të Rangnickut, duke pranuar shqetësimin për gjendjen e terrenit, por duke nënvizuar se të njëjtat kushte do t’i kenë si Kosova, ashtu edhe Austria në përballjen e nesërme. /Telegrafi/