Një stuhi e fuqishme goditi qytetin e Forlit në Itali, më 21 gusht, me erëra që kaluan shpejtësinë 100 km/h, ndërsa pranë aeroportit u raportuan goditje ere deri në rreth 120 km/h.
Situata u bë veçanërisht e rrezikshme në aeroportin “Luigi Ridolfi”, ku erërat e forta zhvendosën tre avionë të parkuar në zonën aeroportuale.
Sipas raportimeve, njëri prej avionëve ishte në proces uljeje kur kushtet atmosferike u përkeqësuan, transmeton Telegrafi.
Ekipet e zjarrfikësve ndërhynë menjëherë për të siguruar avionët dhe për të parandaluar dëme të tjera, ndërsa fatmirësisht nuk pati persona të lënduar.
Për shkak të motit ekstrem, aeroporti u mbyll përkohësisht për rreth një orë, derisa kushtet e erës u përmirësuan dhe operimet mundën të rifillonin.
Pamjet nga aeroporti tregojnë forcën e jashtëzakonshme të erërave, të cilat ishin aq të fuqishme sa mundën të lëviznin edhe avionë me peshë prej disa tonësh. /Telegrafi/
