Sfida logjike me “sytë blu” është bërë virale në rrjetet sociale, ndërsa shumë përdorues pranojnë se nuk arrijnë ta kuptojnë as pas dhjetëra minutash
Një enigmë logjike, e quajtur nga shumë përdorues “enigmat më e vështirë në botë”, është bërë virale në rrjetet sociale dhe ka hutuar mijëra njerëz. Edhe pse enigmat konsiderohen mënyrë e mirë për ta mbajtur trurin aktiv, kjo sfidë ka rezultuar tepër e ndërlikuar për shumicën.
Bëhet fjalë për enigmën e njohur si “Sytë blu”, për të cilën pretendohet se mund ta zgjidhin vetëm njerëzit me inteligjencë shumë të lartë dhe aftësi të avancuara logjike.
Rregullat janë këto: në një ishull jeton një grup njerëzish me ngjyra të ndryshme sysh. Të gjithë janë logjikues perfektë, që do të thotë se çdo përfundim që mund të nxirret logjikisht, ata do ta arrijnë menjëherë. Megjithatë, askush nuk e di ngjyrën e syve të vet.
Çdo natë në mesnatë, në ishull mbërrin një traget që merr me vete të gjithë ata që kanë arritur të kuptojnë ngjyrën e syve të tyre. Secili mund t’i shohë sytë e të tjerëve, por askush nuk lejohet të komunikojë.
Në ishull jetojnë 100 persona me sy blu, 100 me sy kafe dhe një Guru me sy të gjelbër.
Një ditë, Guruja thotë para të gjithëve: “Shoh dikë që ka sy blu.”
Pyetja është: kush largohet nga ishulli dhe në cilën natë?
Enigma është bërë shumë e komentuar në internet. Një përdorues shkroi: “Truri më dhemb vetëm duke e lexuar”, ndërsa një tjetër tha: “Edhe pse merrem me logjikë, kjo më habiti.”
Përgjigjja është se të 100 personat me sy blu largohen nga ishulli së bashku, në natën e njëqindtë.
Çelësi i zgjidhjes qëndron te deklarata e Gurusë. Me atë fjali, të gjithë marrin një informacion të përbashkët: që në ishull ekziston të paktën një person me sy blu.
Nëse do të kishte vetëm një person me sy blu, ai nuk do të shihte askënd tjetër me sy blu dhe do ta kuptonte menjëherë se Guruja po fliste për të. Prandaj do të largohej natën e parë.
Nëse do të kishte dy persona me sy blu, secili do ta shihte tjetrin dhe do të priste që ai të largohej natën e parë. Kur askush nuk largohet, të dy do ta kuptonin se edhe vetë kanë sy blu dhe do të largoheshin natën e dytë.
I njëjti parim vazhdon deri te numri 100. Secili prej personave me sy blu sheh 99 të tjerë dhe pret 99 net. Kur askush nuk largohet, natën e njëqindtë secili arrin në të njëjtin përfundim: “Po të ishim vetëm 99, ata do të largoheshin mbrëmë. Meqë nuk u larguan, atëherë edhe unë kam sy blu.”
Kështu, të 100 personat me sy blu arrijnë njëkohësisht në të njëjtin përfundim dhe largohen bashkë nga ishulli. /Telegrafi/