Egjipti ka rihapur të shtunën ndërtesën historike të ambasadës së tij në kryeqytetin libian, Tripoli, pas 12 vjetësh mbylljeje.
Ky veprim vjen në kuadër të përpjekjeve të Kajros për të forcuar marrëdhëniet me qeverinë në perëndim të Libisë, ndërsa në qendër të bisedimeve ishin bashkëpunimi tregtar, projektet energjetike dhe mosmarrëveshjet për kufijtë detarë.
Rihapja u bë gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm egjiptian, Badr Abdelatty, i cili zhvilloi takime me zyrtarë të lartë libianë. Në ceremoninë e rastit mori pjesë edhe ministri në detyrë i Jashtëm i Libisë, Taher al-Baour, transmeton Telegrafi.
Egjipti e kishte mbyllur ambasadën në janar të vitit 2014, pasi persona të armatosur kishin rrëmbyer pesë pjesëtarë të stafit diplomatik. Megjithatë, misioni diplomatik egjiptian rifilloi punën në Tripoli në maj të vitit 2021.
Për shumë vite, Kajro ka mbështetur Khalifa Haftar-in, komandantin ushtarak që kontrollon pjesën më të madhe të Libisë lindore, ku vepron edhe një qeveri rivale.
Kësaj radhe, Abdelatty zhvilloi bisedime me kryeministrin Abdulhamid Dbeibah, kreun e Qeverisë së Unitetit Kombëtar, e cila njihet ndërkombëtarisht dhe është e vendosur në Tripoli.
Gjatë takimit, palët diskutuan mënyrat për lehtësimin e tregtisë mes dy vendeve. Sipas Ministrisë së Jashtme egjiptiane, Dbeibah vlerësoi kontributin e kompanive dhe punëtorëve egjiptianë në rindërtimin e Libisë.
Abdelatty u takua gjithashtu me ministrin libian në detyrë të Naftës, duke kërkuar përshpejtimin e projekteve për ndërtimin e gazsjellësve mes dy vendeve dhe të planeve për përpunimin e naftës bruto libiane në rafineritë egjiptiane, përpara eksportimit të saj.
Ministri libian tha se do të udhëtojë drejt Kajros për të vazhduar diskutimet, raportoi të dielën agjencia shtetërore libiane e lajmeve.
Një nga çështjet kryesore të bisedimeve ishte kundërshtimi i Egjiptit ndaj marrëveshjes detare të vitit 2019 mes Turqisë dhe qeverisë së atëhershme libiane në Tripoli.
Abdelatty theksoi se shqetësimet e Egjiptit duhet të merren parasysh gjatë përcaktimit të kufijve detarë. Ndërkaq, kryeministri Dbeibah deklaroi për televizionin egjiptian Al-Qahera News se zyrtarët e të dy vendeve do të diskutojnë hartat dhe pretendimet përkatëse në takimin e ardhshëm.
Marrëveshja e vitit 2019 përcakton kufijtë mes zonave detare të Turqisë dhe Libisë në Mesdheun Lindor, një rajon ku disa shtete kanë pretendime për të drejtat e kërkimit dhe shfrytëzimit të rezervave të naftës dhe gazit.
Greqia kundërshton marrëveshjen, duke argumentuar se ajo shpërfill të drejtat e ishujve grekë, përfshirë Kretën, e cila ndodhet mes brigjeve turke dhe atyre libiane. Edhe Egjipti dhe Qiproja kanë shprehur kundërshtime ndaj saj.
Parlamenti i Libisë lindore, i cili për vite me radhë kishte kundërshtuar marrëveshjen, e ratifikoi atë më 20 tetor. Një ditë më vonë, Bashkimi Evropian deklaroi se marrëveshja cenon të drejtat e vendeve të tjera dhe nuk mund të prodhojë efekte juridike ndaj tyre.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, e mbrojti marrëveshjen, duke e cilësuar atë si “plotësisht legjitime, si nga pikëpamja juridike, ashtu edhe nga ajo politike”. /Telegrafi/

