Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi, ka deklaruar se është arritur një marrëveshje që parasheh një armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm, me ndalimin e të gjitha operacioneve ushtarake duke filluar nga sonte, përfshirë edhe konfliktin në Liban.
Sipas Gharibabadi, marrëveshja është hartuar në kushte të mungesës së besimit mes palëve, duke theksuar se “ky memorandum mirëkuptimi nuk nënkupton besim ndaj armikut”.
Ai shtoi se Teherani do të monitorojë nga afër zbatimin e angazhimeve nga Shtetet e Bashkuara, duke paralajmëruar se çdo shkelje do të vlerësohet në mënyrë të kujdesshme.
Zyrtari iranian tha gjithashtu se disa prej ndryshimeve të kërkuara nga pala iraniane në marrëveshje janë mundësuar nga zhvillimet në Liban dhe nga deklaratat e forcave të armatosura, të cilat sipas tij kanë ndikuar në avancimin e negociatave.
“Forcat e armatosura ishin të gatshme të jepnin një përgjigje vendimtare,” u shpreh ai, duke shtuar se edhe qëndrimet publike të presidentit amerikan, Donald Trump dhe reagimet e Hezbollahut kanë luajtur rol në dinamikën e zhvillimeve.
Gharibabadi theksoi se presioni ushtarak dhe kërcënimet e ndërsjella ndihmuan në finalizimin e tekstit të marrëveshjes dhe në zgjidhjen e çështjeve të mbetura.
Ai përfundoi duke deklaruar se “përfundimi i bllokadës detare të SHBA-së ndaj Iranit fillon sonte”.
Ndryshe, Trump si dhe kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif kanë konfirmuar arritjen e një marrëveshje, e cila pritet të nënshkruhet më 19 qershor (e premte). /Telegrafi/
