Organizata mjedisore ECOPANA ka publikuar një video-dokumentar të shkurtër mbi gjendjen e lumenjve në pellgun e Drinit të Bardhë, duke ngritur shqetësime për ndikimin e digave të vogla, pengesave të vjetruara dhe ndërhyrjeve fizike në ekosistemet ujore, si dhe duke kërkuar restaurim urgjent të lumenjve në Kosovë.
Video-dokumentari është realizuar në kuadër të projektit “Kosovo’s Path to Free-Flowing Rivers: Foundational Inventory for the White Drin Dam Removal”, i zbatuar nga ECOPANA dhe i financuar nga Open Rivers Programme.
Sipas ECOPANA-s, projekti ka prodhuar inventarizimin e parë sistematik të pengesave artificiale në lumenjtë e pellgut të Drinit të Bardhë, duke krijuar një bazë teknike dhe shkencore për planifikimin e heqjes së pengesave të panevojshme dhe rikthimin e rrjedhës së lirë.
“Lumenjtë nuk janë kanale betoni. Ata janë ekosisteme të gjalla, burim uji, biodiversiteti dhe jete për komunitetet tona. Përmes kësaj videoje duam të tregojmë gjendjen reale në terren dhe të nxisim një qasje më serioze institucionale ndaj mbrojtjes dhe restaurimit të lumenjve,” ka deklaruar Krenare Salihu, drejtoreshë ekzekutive e ECOPANA-s.
Në dokumentar theksohet se pengesat fizike dhe betonizimi i shtretërve të lumenjve dëmtojnë vazhdimësinë ekologjike, pengojnë lëvizjen e peshqve dhe organizmave të tjerë ujorë, degradojnë habitatet natyrore dhe ndryshojnë regjimin natyror të rrjedhës së ujit. Sipas ECOPANA-s, këto ndërhyrje ndikojnë në cilësinë e ekosistemeve, në biodiversitet dhe në sigurinë afatgjatë të burimeve ujore.
Organizata vlerëson se heqja e pengesave të panevojshme, ndalimi i betonimit të shtretërve të lumenjve, restaurimi i brigjeve, krijimi i zonave tampon me vegjetacion natyror dhe mirëmbajtja e rregullt e lumenjve duhet të përfshihen në politikat publike për menaxhimin e ujërave dhe mbrojtjen e natyrës në Kosovë.
Sipas njoftimit, projekti ka synuar edhe rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe institucional për rëndësinë e lumenjve me rrjedhë të lirë, duke ofruar të dhëna nga terreni, dokumentim vizual dhe rekomandime për hapat e ardhshëm drejt restaurimit të lumenjve.
ECOPANA ka shprehur mirënjohje për Open Rivers Programme për mbështetjen në realizimin e projektit, si dhe për bashkëpunëtorët dhe institucionet që, sipas saj, kanë kontribuar gjatë procesit. /Telegrafi/