Kompania amerikane Electronic Arts (EA), një nga botuesit më të mëdhenj të videolojërave në botë, ka nisur një raund të ri largimesh nga puna në prag të shitjes së planifikuar tek një konsorcium investitorësh, mes të cilëve përfshihen edhe fonde nga Arabia Saudite, në një marrëveshje me vlerë rreth 55 miliardë dollarësh.
Sipas mediave të specializuara në industrinë e lojërave, këto largime janë pjesë e një ristrukturimi më të gjerë të kompanisë, i cili vjen pasi EA ka arritur marrëveshje për t’u blerë nga një grup investitorësh ku marrin pjesë Public Investment Fund (PIF) i Arabisë Saudite, fondi investues Silver Lake dhe kompania Affinity Partners.
Marrëveshja për shitjen e EA konsiderohet si një nga blerjet më të mëdha në industrinë e videolojërave dhe vlerësohet rreth 55 miliardë dollarë. Pas përfundimit të transaksionit, kompania pritet të kalojë në pronësi private.
Deri tani nuk dihet saktësisht sa vende pune do të shkurtohen dhe në cilat departamente, por analistët theksojnë se kjo është praktikë e zakonshme para akuzicioneve të mëdha, kur kompanitë përpiqen të ulin kostot dhe të thjeshtojnë operacionet.
EA është një nga kompanitë më të mëdha të gaming në botë, e njohur për seritë si EA Sports FC, Battlefield, The Sims dhe Apex Legends.
Transaksioni ende po pret miratimet rregullatore dhe procedurat përfundimtare para se të mbyllet plotësisht. /Telegrafi/
