Legjenda e Arsenalit, David O’Leary, ka kritikuar Bukayo Sakan, duke pretenduar se ylli anglez nuk është më në nivelin e dikurshëm dhe se rrëzohet shumë lehtë gjatë ndeshjeve.
Saka e ka nisur mirë sezonin 2026/27, duke shënuar tre gola në gjashtë paraqitje për Arsenalin, kampionin në fuqi të Ligës Premier.
Reprezentuesi anglez është pjesë e klubit londinez që nga mosha shtatëvjeçare, ndërsa debutimin me ekipin e parë e bëri në vitin 2018. Që atëherë, ka zhvilluar mbi 300 ndeshje me fanellën e Arsenalit, duke shënuar 84 gola në të gjitha garat dhe duke qenë një prej futbollistëve kryesorë të skuadrës.
Megjithatë, O’Leary beson se mënyra e lojës së 25-vjeçarit ka ndryshuar dhe se nuk është më aq i drejtpërdrejtë në duelet me mbrojtësit kundërshtarë.
“Duke e parë teksa rritej dhe bëhej pjesë e ekipit, para se të gjithë ta kuptonin se sa i mirë ishte, mendoj se tani rrëzohet shumë shpesh”.
“Mendoj se kërkon kontaktin për t’u rrëzuar. Lojtari që shihja më parë ishte shumë më pozitiv. Ai nuk lejonte që mbrojtësi i krahut apo dikush tjetër ta rrëzonte lehtësisht”.
O’Leary, megjithatë, nuk e vuri në dyshim cilësinë e Sakas, por shprehu rezerva nëse paraqitjet e tij aktuale justifikojnë kontratën e re dhe statusin e njërit prej futbollistëve më të paguar në futbollin anglez.
“Ai nuk është më lojtari që ishte, pa asnjë dyshim. Ende është një futbollist i nivelit të lartë, por a është lojtari që e fitoi këtë kontratë fantastike të re te Arsenali, për t’u bërë njëri prej lojtarëve më të paguar në vend? Për momentin, nuk mendoj kështu”, përfundoi O’Leary.
Arsenali përndryshe renditet në pozitën e dytë në tabelë me 15 pikë, tri më pak se lideri Man City./Telegrafi/