Një futbollist 35-vjeçar në Gjermani, i identifikuar si Marius, është arrestuar nën dyshimin se ka helmuar në mënyrë fatale një shok skuadre gjatë një udhëtimi në fund të sezonit.
Futbollisti, i cili luan për klubin amator TuS Rockenberg, dyshohet se helmoi fshehurazi një bashkëlojtar gjatë një udhëtimi të ekipit në Dresden, ku futbollistët kishin shkuar për të festuar përfundimin e sezonit.
Gjatë udhëtimit, njëri prej lojtarëve, Philipp, papritmas filloi të ndihej keq. Pasi u kthye në shtëpi, gjendja e tij u përkeqësua dhe familja e tij thirri ambulancën.
Philipp u dërgua në spital, por fatkeqësisht ndërroi jetë të nesërmen, më 16 qershor 2025, në moshën 30-vjeçare, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta reanimuar.
Fillimisht, familja e viktimës besonte se ai ishte prekur nga një helmim i rëndë ushqimor, pasi gjatë udhëtimit ekipi kishte konsumuar peshk.
Megjithatë, hetimet e mëvonshme zbuluan se shkaku i vdekjes së Philippit ishte dështimi i shumëfishtë i organeve, i shkaktuar nga helmimi.
Gjatë hetimit, Marius u identifikua si i dyshuari kryesor.
“Ne supozojmë se bëhet fjalë për një akt hakmarrjeje”, deklaroi prokurori i lartë Thomas Hauburger për mediat lokale, duke shtuar se dyshohet që motivi i hakmarrjes lidhej me një vajzë.
“Jemi të gjithë të befasuar dhe të tronditur. Askush nuk e priste këtë. Shpresojmë që policia të jetë në gjendje të zbardhë plotësisht atë që ka ndodhur”, tha Manuel Barufe, drejtuesi i departamentit të futbollit të TuS Rockenberg, në një deklaratë për mediat lokale./Telegrafi/