Liverpooli ka bërë gati trajnerin e ri, pasi Andoni Iraola raportohet se tashmë e ka nënshkruar kontratën me klubin nga “Anfield”.
Lajmi është bërë i ditur nga gazetari i njohur Fabrizio Romano, i cili ka shkruar se gjithçka është mbyllur.
“Andoni Iraola ka vendosur firmën sot në Merseyside si trajneri i ri i Liverpoolit. Kontratë deri në qershor 2028, gjithçka e përfunduar dhe e dorëzuar”, ka postuar Romano në Instagram.
Nëse ky raportim konfirmohet zyrtarisht, atëherë Liverpooli mund ta prezantojë Iraolan në çdo moment si pasuesin e fundit në stolin e “Reds”, teksa klubi synon ta nisë sa më shpejt planifikimin për sezonin e ri.
Trajneri bask vlerësohet për stilin e tij intensiv të lojës te Bournemouth, presingun e lartë dhe organizimin taktik, ndërsa emërimi i tij shihet si pjesë e një projekti për ta rikthyer Liverpoolin në garën për trofe, pas një sezoni që nuk i përmbushi pritjet.
Zyrtarizimi i marrëveshjes pritet së shpejti, ndërsa më pas pritet të fillojë edhe puna për afatin kalimtar dhe ndërtimin e skuadrës sipas kërkesave të trajnerit të ri. /Telegrafi/
