Një studim i Universitetit të Kembrixhit tregon një ndarje të theksuar gjinore sa i përket diagnozave të gabuara, ku gratë gjithashtu presin më gjatë për trajtim.
Studimi tregon se gratë me sëmundje autoimune kanë deri në 74% më shumë gjasa se burrat të dëgjojnë se simptomat e tyre janë psikologjike ose psikosomatike, si dhe përballen me periudha shumë më të gjata pritjeje për diagnozë dhe trajtim.
Qindra miliona njerëz – rreth një në 10 në nivel global – preken nga sëmundjet autoimune, të cilat mund të shkaktojnë një sërë problemesh shëndetësore, përfshirë lodhjen, dhimbjet e muskujve dhe skuqjet e lëkurës, raporton The Guardian, transmeton Klankosova.tv
Megjithatë, hulumtimet e kryera nga Universiteti i Kembrixhit dhe Universiteti i East Anglia tregojnë një ndarje të qartë gjinore në mënyrën se si mjekët trajtojnë shenjat e këtyre sëmundjeve.
Sipas studimit, gratë kanë më shumë gjasa që gjendja e tyre shëndetësore t'u atribuohet gabimisht shkaqeve psikiatrike, simptomat e tyre të diagnostikohen gabimisht si psikosomatike dhe të përjetojnë vonesa në marrjen e një diagnoze.
Autorja kryesore, Melanie Sloan, u shpreh: "Dëmi që u shkaktohet grave nga këto lloje diagnozash të gabuara mund të jetë afatgjatë, veçanërisht për sa i përket besimit te mjekët dhe vetëvlerësimit të tyre."
Studuesit zbuluan se 43% e grave raportuan se u ishte thënë që gjendja e tyre kishte shkaqe psikiatrike, krahasuar me një të tretën e burrave (33%).
Një e treta (34%) e grave raportuan gjithashtu se simptomat e tyre ishin diagnostikuar gabimisht si psikosomatike – që do të thotë se ato shkaktoheshin ose përkeqësoheshin nga stresi apo ankthi – krahasuar me 22% të burrave.
Sëmundjet autoimune, të cilat shfaqen kur sistemi imunitar sulmon gabimisht trupin, mund të jenë komplekse për t'u diagnostikuar, pasi shpesh paraqiten me simptoma që janë të zakonshme te popullata e gjerë.

