Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj një personi me inicialet Ç.Zh., i dyshuar për grabitjen e rreth 8 mijë eurove në një lokal në Gjakovë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, i dyshuari është arrestuar më 15 tetor, pasi kishte qenë në arrati, ndërsa ndaj tij është marrë aktvendim për fillimin e hetimeve.
“Ekziston dyshim i bazuar se i pandehuri me inicialet Ç.Zh. më datë 10 tetor 2026, rreth orës 15:00, në rrugën ‘Anton Çeta’ në Gjakovë, tek ‘R.M.T’, i maskuar dhe nën kërcënimin e thikës, ka grabitur rreth 8.000 euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas organit të akuzës, i dyshuari fillimisht e ka kërcënuar punonjësen dhe më pas i ka marrë paratë nga dollapi ku mbaheshin ato.
Pas arrestimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Prokuroria ka bërë të ditur se veprimet për të cilat dyshohet, përbëjnë veprën penale “Grabitja”, nga neni 317, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Për të dyshuarin tashmë i është drejtuar kërkesë Gjykatës Themelore në Gjakovë për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

