Një prani e madhe policore u vendos të enjten në Swiss Casino në Gessnerallee të Cyrihut, pranë stacionit të trenit Selnau, pas një raportimi për një kërcënim të dyshuar.
Sipas policisë së qytetit të Cyrihut, raportimi mbërriti rreth orës 16:30 dhe bëri që forca të shumta policore të dërgoheshin në vendngjarje. Pas hetimeve të zhvilluara, policia tha se një kërcënim konkret mund të përjashtohej, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.
Sipas raportimeve të Tages-Anzeiger, operacioni zgjati rreth dy orë. Burime të gazetës kanë bërë të ditur se policia e St. Gallenit kishte marrë më herët një kërcënim anonim përmes një bisede, ku thuhej se “kazinoja do të ishte e radhës”. Në kërcënim dyshohet se janë përmendur edhe armë zjarri.
Në vendngjarje u panë disa efektivë të armatosur me armë automatike. Sipas raportimeve, kazinoja u mbyll përkohësisht, ndërsa disa vizitorë u lejuan të hynin në objekt, transmeton Telegrafi.
Policët ishin të pranishëm edhe brenda kazinosë, ndërsa personave që hynin u kontrolloheshin çantat. Gjithashtu, vizitorëve u kërkohej të qëndronin brenda objektit për të paktën 30 minuta pas hyrjes.
Pas rreth dy orësh operacion, policia e Cyrihut bëri të ditur se nuk kishte indicie për një kërcënim konkret. Hetimet për të sqaruar rrethanat e raportimit po vazhdojnë./Telegrafi/