Autoritetet spanjolle kanë zbuluar dhe shkatërruar një plantacion të madh të marihuanës në një zonë pyjore të Pirenejve aragoneze, ndërsa në kuadër të hetimeve janë identifikuar edhe dy shtetas shqiptarë, të dyshuar për përfshirje në këtë veprimtari ilegale.
Sipas gazetës spanjolle La Vanguardia, operacioni policor është zhvilluar në provincën Huesca, ku autoritetet kanë zbuluar një plantacion të fshehur në një zonë pyjore pranë Sabiñánigos.
Gjatë ndërhyrjes, policia ka sekuestruar rreth shtatë tonë bimë kanabisi, si dhe 227 kilogramë lule marihuane, duke e cilësuar rastin si një nga zbulimet e rëndësishme të këtij lloji në rajon, transmeton Telegrafi.
Në kuadër të hetimeve janë identifikuar dy shtetas shqiptarë, të cilët dyshohet se kishin për detyrë ruajtjen dhe mirëmbajtjen e plantacionit. Njëri prej tyre është arrestuar në momentin kur po përpiqej të largohej nga Spanja, ndërsa për personin tjetër është lëshuar urdhër arresti.
Hetuesit dyshojnë se plantacioni ishte organizuar në mënyrë të tillë që të mbetej i fshehur nga autoritetet, ndërsa zona pyjore shfrytëzohej për kultivimin e bimëve narkotike larg vendbanimeve.
Operacioni është pjesë e një hetimi të policisë spanjolle kundër kultivimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të zbardhur të gjitha lidhjet e mundshme të personave të dyshuar dhe për të identifikuar pjesëtarët e tjerë të rrjetit./Telegrafi/

