Kombëtarja U21 e Kosovës ka shënuar fitore ndaj Qipros me rezultat 2-1, në ndeshjen e nëntë të eliminatoreve për Kampionatin Evropian, i cili do të mbahet në Shqipëri dhe Serbi.
Pas një pjese të parë pa shumë raste dhe gola, pjesa e dytë solli një tjetër ritëm, me tri gola dhe një fund dramatik.
Qipro ishte ajo që e zhbllokoi ndeshjen në minutën e 52-të, kur Savvas Kontopoulos shënoi për 1-0.
Megjithatë, Kosova reagoi shpejt dhe arriti ta barazojë rezultatin. Erion Sadriu, i cili sapo ishte inkuadruar në lojë, pranoi bukur një top dhe u fut në zonë, ku u ndal nga një mbrojtës qipriot. Gjyqtari akordoi penallti, ndërsa Hekuran Berisha ishte i saktë nga pika e bardhë për 1-1 në minutën e 69-të.
Vetëm shtatë minuta më vonë, Berisha u shndërrua në asistues, duke dhënë një pasim të bukur për Lirim Jasharin, i cili me një goditje të fortë nga rreth 20 metra e dërgoi topin në rrjetë për përmbysjen 2-1.
Pas golit të Kosovës, qipriotët humbën qetësinë dhe loja u bë edhe më e ashpër. Dy futbollistë të Qipros u ndëshkuan me kartonë të kuq, duke e lënë skuadrën e tyre me nëntë lojtarë.
Kosova arriti ta menaxhojë avantazhin deri në fund dhe mori tri pikë të rëndësishme në këtë fazë të eliminatoreve.
Pas nëntë ndeshjeve, Kosova ka grumbulluar 14 pikë dhe mban vendin e katërt në renditje. /Telegrafi/