Policia e Kosovës pas pranimit të informatave për një depo të dyshuar në qytetin e Ferizajt, ka ndërmarrë veprime operative dhe hetimore të cilat kanë rezultuar me sekuestrim e një sasie të madhe të mallrave të kontrabanduara.
Lidhur me rastin, njësitë përkatëse policore kanë identifikuar personin e dyshuar mashkull kosovar, i cili dyshohet se ka shfrytëzuar depon e dyshuar për vendosje të gjësendeve të kontrabanduara, të cilat dyshohet se janë kontrabanduar përmes rrugëve ilegale nga Maqedonia e Veriut në Republikën e Kosovës.
“Pas sigurimit të urdhrit verbal të prokurorit kompetent, është kryer kontroll në lokacionin e dyshuar, ku gjatë kontrollit janë sekuestruar mallrat si në vijim: 800.4kg. duhan i përpunuar, 94 kg. mjaltë, 30.4kg. ambalazh i plastikës, 178kg. ambalazh i letrës, një makinë për përpunim të duhanit, një makinë për përpunim të ambalazhit dhe një spërkatëse e ujit për spërkatje të duhanit”, thuhet në njoftim.
Vlera e përafërt e mallrave është rreth 16 mijë e 500 euro ndërsa akciza dhe shmangiet doganore janë rreth 34 mijë euro.
Lidhur me rastin, pas ndërmarrjes së veprimeve përkatëse policore mallrat e sekuestruara janë proceduar te Dogana e Kosovë për procedura të mëtutjeshme. /Telegrafi/