Inxhinierët kanë zhvilluar një dron të ri të quajtur Phantom Twist, i cili duket sikur zhduket gjatë fluturimit falë një teknologjie të bazuar në mënyrën se si funksionon shikimi i njeriut.
Pajisja nuk përdor kamuflazh apo materiale speciale, por shfrytëzon efektin e turbullimit nga lëvizja (motion blur) për ta bërë veten shumë më pak të dukshëm.
Ndryshe nga dronët tradicionalë me katër helika, Phantom Twist ka një motor dhe një helikë, ndërsa i gjithë trupi i tij rrotullohet në drejtim të kundërt me helikën.
Kur arrin shpejtësi të lartë rrotullimi, rreth 25 rrotullime në sekondë, syri i njeriut nuk arrin ta dallojë më qartë formën e tij dhe droni shfaqet si një hije e turbullt, pothuajse transparente.
Për krijimin e tij është përdorur inteligjenca artificiale dhe algoritme optimizimi. Studiuesit krijuan rreth 20 mijë versione të mundshme të dizajnit të dronit dhe më pas AI analizoi pozicionimin më të mirë të pjesëve – motorit, baterive, pllakës elektronike dhe komponentëve të tjerë – për të zvogëluar sa më shumë dukshmërinë e tij.
Sipas studiuesve, Phantom Twist është rreth 10 herë më pak i dallueshëm vizualisht sesa një dron i zakonshëm me katër helika. Megjithatë, ai nuk është plotësisht i padukshëm: zhurma e helikës dhe disa pjesë mekanike ende mund të vërehen.
Kjo teknologji mund të përdoret në të ardhmen për monitorimin e kafshëve të egra, vëzhgimin e mjedisit dhe inspektimin e infrastrukturës, pasi një dron më pak i dukshëm mund të kryejë detyrat e tij pa shqetësuar aq shumë ambientin përreth.
Phantom Twist tregon një qasje të re në robotikë: në vend që makinat të përpiqen të duken si ambienti ku ndodhen, ato mund të projektohen për t’u përshtatur me mënyrën se si truri i njeriut e percepton botën. /Telegrafi/
