Dronët ukrainas detyruan mbylljen e të katër aeroporteve kryesore të Moskës gjatë natës.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, operacionet në Vnukovo, Domodedovo, Zhukovsky dhe Sheremetyevo u pezulluan për deri në shtatë orë, ndërsa më shumë se 160 fluturime u anuluan.
Kryetari i bashkisë së Moskës, Sergei Sobyanin, deklaroi se 94 dronë që po i afroheshin kryeqytetit ishin rrëzuar.
Aeroporti Pulkovo në Shën Petersburg u detyrua gjithashtu të pezullonte operacionet dy herë gjatë së njëjtës natë.
E guvernatori i rajonit të Leningradit, Alexander Drozdenko, njoftoi se katër dronë ishin shkatërruar mbi këtë rajon.
Megjithatë, Euronews thotë se nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto pretendime.
Sipas portalit rus të investigimit “Agentstvo”, katër aeroportet e Moskës qëndruan të mbyllura për një total prej 101 orësh gjatë 14 ditëve të para të tetorit, krahasuar me 46 orë gjatë gjithë muajit shtator.
Ndërkohë, të martën, Ukraina ndërmori një nga operacionet e saj më të mëdha me dronë kundër kryeqytetit rus, duke përdorur afro 500 dronë.
Siç kujtojnë mediat, në shtator, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se hapësira ajrore ruse “po bëhet e pasigurt” dhe se “dronët do të shfaqen në qiellin mbi Rusi, fakt që duhet marrë parasysh”, duke u bërë thirrje linjave ajrore ndërkombëtare që të ndalojnë fluturimet drejt aeroporteve ruse.
Kievi ka vënë në shënjestër objektet ushtarake, energjetike dhe tregtare të Rusisë, në përpjekje për të privuar nga financimi makinerinë luftarake të Moskës, ndërsa lufta gjithëpërfshirëse në Ukrainë ka hyrë tashmë në vitin e saj të pestë.
Megjithatë, në një intervistë, presidenti amerikan Donald Trump përsëriti kritikat ndaj sulmeve ukrainase mbi rafineritë ruse të naftës, duke i quajtur ato “një turp”, pas njoftimit të tij befasues për një marrëveshje për blerjen e naftës (dizel) nga Kremlini. /Telegrafi/

