Dy anije tregtare janë goditur nga dronë në Detin e Zi, pranë brigjeve të Bullgarisë, duke shkaktuar fundosjen e njërës prej tyre dhe evakuimin e ekuipazhit të anijes së dytë.
Autoritetet bullgare kanë nisur kërkimet për anëtarët e ekuipazhit të anijes së fundosur, ndërsa ende nuk është përcaktuar se nga kanë ardhur dronët apo kush qëndron pas sulmeve.
Kryeministri bullgar, Rumen Radev, pritet të deklarojë rreth orës 11:15 sipas kohës lokale, në nisje të një mbledhjeje urgjente të qeverisë për incidentet.
Sipas transmetuesit publik bullgar BNR, kreu i operacioneve të shpëtimit në Varna, Rumen Nikolov, tha se ekuipazhi i anijes së fundosur rezulton i zhdukur, ndërsa anëtarët e ekuipazhit të anijes së dytë janë shpëtuar.
Faqja bullgare e lajmeve detare Maritime.bg i identifikoi anijet si Alfa Watan, që mbante flamurin e Togos dhe që u fundos, si dhe Able, e cila lundronte nën flamurin e Palaut.
Në anijen Able ndodhej një ekuipazh prej 18 personash. Ata u detyruan të braktisnin anijen pasi një zjarr shpërtheu në bord dhe u morën në anijen bullgare të pasagjerëve Dioscuria. Disa prej tyre raportohet se kanë pësuar lëndime.
Ende nuk është bërë e ditur nëse dy incidentet kanë të njëjtin autor apo se çfarë lloj dronësh janë përdorur, transmeton Telegrafi.
Ngjarja po tërheq vëmendje të veçantë pasi, sipas raportimeve fillestare, bëhet fjalë për një nga incidentet e para të këtij lloji që prek transportin detar brenda zonës ekonomike ekskluzive të Bullgarisë, vend anëtar i NATO-s.
Autoritetet bullgare kanë mbledhur strukturat përkatëse për të vlerësuar situatën dhe për të koordinuar operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa hetimet për origjinën e dronëve dhe rrethanat e goditjeve vazhdojnë. /Telegrafi/