Kampionia e Kosovës, Drita rikthehet sonte (e enjte) në aksion në garat evropiane, ku do të përballet me Tre Fiorin në ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Takimi do të zhvillohet në San Marino Stadium në Serravalle, me fillim nga ora 21:00, ndërsa skuadra gjilanase synon të marrë një rezultat pozitiv që do ta vendoste në pozitë të favorshme para sfidës së kthimit.
Pas paraqitjeve të mira në raundet e mëparshme, kampionia e Kosovës synon ta vazhdojë rrugëtimin evropian dhe të afrohet edhe më shumë me fazën “play-off”, e cila do ta ndante vetëm një hap nga faza e ligës së Ligës së Konferencës.
Nga ana tjetër, Tre Fiori do të kërkojë të shfrytëzojë faktorin fushë dhe mbështetjen e tifozëve për të siguruar epërsi para udhëtimit në Kosovë.
Ndeshja e kthimit mes dy skuadrave do të zhvillohet pas një jave, kur Drita do ta presë Tre Fiorin në Prishtinë, ku do të vendoset edhe skuadra që do të avancojë në fazën e radhës të garës evropiane.
Në rast se kalon tutje, kampionia e Kosovës do të përballet në ‘play-off’ me fituesin e përballjes Flora Tallinn-Inter Escaldes. /Telegrafi/
