Drenica ka marrë një pikë në udhëtim te Dukagjini, pasi ndeshja e zhvilluar të hënën mbrëma në Klinë, në kuadër të xhiros së dhjetë të Superligës së Kosovës në futboll, ka përfunduar 1:1.
Dukagjini e ka nisur mirë ndeshjen, por nuk ka arritur ta ruajë epërsinë deri në fund.
Kapiteni Elton Basri e ka shënuar golin e epërsisë për vendasit në minutën e pestë, me goditje me kokë. Dy minuta më herët, Altin Merlaku e kishte humbur një penallti.
Situata për Dukagjinin është vështirësuar në minutën e gjashtëmbëdhjetë, kur Kushtrim Gashi është ndëshkuar drejtpërdrejt me karton të kuq për një ndërhyrje të ashpër.
Drenica e ka shfrytëzuar epërsinë numerike dhe e ka barazuar rezultatin në minutën e njëzet. Agim Zeka ka shënuar për 1:1, që ka qenë edhe rezultati përfundimtar i ndeshjes.
Pas këtij barazimi, Drenica renditet në vendin e shtatë me njëmbëdhjetë pikë, ndërsa Dukagjini zë vendin e pestë me shtatëmbëdhjetë pikë, aq sa kanë edhe Drita dhe Gjilani.
Më herët gjatë ditës, Prishtina ka arritur fitore në udhëtim, duke e mposhtur Ballkanin me rezultat 0:1 në Suharekë.
Pas kësaj fitore, Prishtina ka njëzet e tri pikë aq sa ka edhe Malisheva në kreun e tabelës, kurse, Ballkani renditet e gjashta me trembëdhjetë sosh.

