Drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës, Isah Mustafa sot (e martë), ka mirëpritur në një takim stilistin e njohur shqiptar, Rexhep Zylfiu, i cili në botën e modës njihet me emrin e brendit të tij, Mr. Rex.
Mustafa ka publikuar disa fotografi nga takimi, përmes të cilave ka ndarë edhe një mirënjohje për stilistin dhe ekipin e tij, në shenjë vlerësimi për kontributin dhe arritjet në fushën e modës.
Në mbishkrimin e fotografive, ai ka vlerësuar rrugëtimin profesional të Mr. Rex, duke theksuar se pavarësisht sukseseve dhe arritjeve, stilisti ka ruajtur të njëjtin pasion dhe energji që nga fillimet e karrierës së tij.
“Ka njerëz që, pavarësisht sa larg arrijnë, e ruajnë të njëjtën energji me të cilën e nisën rrugëtimin e tyre. Mr. Rex është një prej tyre!”, ka shkruar Mustafa.
Ai ka theksuar se gjatë takimit kanë diskutuar për rrugëtimin e stilistit, sukseset e arritura dhe planet e tij për të ardhmen. Mustafa gjithashtu ka vënë në pah rëndësinë e krijuesve që jetojnë dhe punojnë në Prishtinë, por që përmes talentit dhe krijimeve të tyre arrijnë të prezantohen edhe në skenën ndërkombëtare.
“Mr. Rex është një dizajner mode që jeton dhe krijon në Prishtinë, por krijimet e tij udhëtojnë nëpër botë. Një dëshmi e bukur se kreativiteti nuk njeh kufij dhe se nga Prishtina mund të ndërtohen rrëfime suksesi që marrin vëmendje ndërkombëtare”, ka shkruar ai.
Në fund, drejtori i Kulturës ka theksuar se Kryeqyteti është krenar për krijuesit që me punën e tyre pasurojnë jetën kulturore dhe promovojnë Prishtinën përtej kufijve, duke i uruar Mr. Rex suksese të reja dhe bashkëpunime të frytshme në të ardhmen. /Telegrafi/

