Pas reagimit të asamblistit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Gjilan, Bujar Nevzati, lidhur me ndërprerjen e shërbimeve në ambulantën e Kishnapolës, ka reaguar drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në këtë komunë, Mimoza Kadriu.
Në një përgjigje për Telegrafin, pas pyetjeve të redaksisë, Kadriu ka sqaruar se nuk bëhet fjalë për mbyllje të ambulantës, por për ndërprerje të përkohshme të shërbimit deri në rekrutimin e stafit të ri.
Ajo ka bërë të ditur se komuna është në përgatitje të konkursit për rekrutimin e personelit, i cili pritet të shpallet gjatë ditëve në vijim.
“Fillimisht, nuk bëhet fjalë për vendim të mbylljes së ambulancës, por për ndërprerje të përkohshme të shërbimit ambulantor deri në rekrutimin e stafit të ri. Aktualisht jemi në përgatitje të konkursit për rekrutimin e personelit, i cili pritet të shpallet këto ditë”, tha Kadriu.
Drejtoresha ka kundërshtuar edhe pretendimin se banorët e Kishnapolës dhe fshatrave përreth kanë mbetur pa asnjë shërbim shëndetësor. Sipas saj, gjatë periudhës së ndërprerjes së shërbimit në ambulantë, qytetarëve u janë bërë të ditur numrat kontaktues të shërbimit të patronazhit dhe të urgjencës.
“Në njoftimin e publikuar janë bërë të ditur numrat kontaktues të shërbimit të patronazhit dhe të urgjencës, në mënyrë që qytetarët të vazhdojnë të kenë qasje në shërbimet shëndetësore. Prandaj, nuk është e vërtetë se në Kishnapolë nuk ofrohet asnjë shërbim shëndetësor”, ka thënë ajo.
Kadriu ka dhënë edhe arsyetimin për organizimin e përkohshëm të shërbimeve. Ajo ka thënë se, bazuar në rekomandimin e Komitetit për Cilësi në kuadër të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) dhe analizën e raporteve për periudhën gjashtëmujore, është konstatuar se në ambulantën e Kishnapolës është ofruar një numër i ulët i shërbimeve.
Për këtë arsye, sipas saj, deri në rekrutimin e stafit të ri, personeli është angazhuar në QKMF, ku nevoja për shërbime shëndetësore pritet të rritet me afrimin e sezonit të gripit.
“Duke marrë parasysh këtë situatë dhe nevojën për organizim më efikas të shërbimeve, është vlerësuar që, deri në rekrutimin e stafit të ri, personeli të angazhohet në QKMF, veçanërisht në prag të sezonit të gripit, kur nevoja për shërbime shëndetësore dhe përkujdesje ndaj qytetarëve është më e madhe”, ka deklaruar Kadriu.
Ajo ka theksuar se ndërprerja e shërbimit është e përkohshme dhe se Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, së bashku me QKMF-në, mbeten të përkushtuara për ofrimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët.
Ndërkaq, Nevzati kishte kundërshtuar ndërprerjen e shërbimeve në këtë ambulantë, duke thënë se ajo kishte ofruar shërbime për më shumë se 70 vjet dhe se banorët e Kishnapolës, Gadishit, Sllakocit të Epërm dhe të Poshtëm, Verbicës e Zhegocit do të detyroheshin të udhëtonin rreth 12 kilometra deri në Bresalc për të marrë kujdesin parësor shëndetësor.
Ai kishte kërkuar tërheqjen e vendimit dhe rikthimin e ambulantës në funksion. /Telegrafi/

