Kryetar i Komisionit për Kosovën në Parlamentin serb, Milovan Drecun, tha se vizita e përfaqësuesit special të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, në Prishtinë dhe Beograd, mund të tregojë njëfarë përgatitje për vazhdimin e negociatave më 18 mars në Ohër.
Sipas tij, çështja e parë është zgjidhja e problemit rreth formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
“U tha se Lajçak duhet të përpiqet të afrojë qëndrimet e Beogradit dhe Prishtinës, veçanërisht në lidhje me Asociacionin. Pra, nëse bëhet fjalë për përgatitjen e një takimi të ri trepalësh, atëherë Asociacioni duhet të zgjidhet fillimisht”, tha Drecun për Tanjug.
Sipas tij, deklarata e Lajçakut se në këtë moment Asociacioni nuk është objekt i negociatave është kontradiktore dhe e çuditshme, sepse siç tha ai, “nëse Asociacioni nuk është subjekt, atëherë nuk është e qartë se çfarë duhet të negociohet”.