Mesfushori i PSG-së, Désiré Doué, ka reaguar për herë të parë publikisht pasi pësoi këputje të ligamentit të përparmë të kryqëzuar (ACL) në gjurin e djathtë. Futbollisti francez u lëndua të shtunën, më 21 nëntor, në ndeshjen e Ligue 1 ndaj Nicës.
Ai u largua nga fusha me barelë dhe me lot në sy në minutën e 38-të, vetëm pak çaste pasi kishte shënuar golin e 2-1 për ekipin e tij. PSG fitoi ndeshjen 3-2.
Të dielën, klubi parisian konfirmoi diagnozën dhe njoftoi se Doué do t’i nënshtrohet operacionit para fundit të nëntorit. Mungesa e tij pritet të zgjasë disa muaj shkruan Indeks Online.
Tani ai e ka ndarë mesazhin e tij në Instagram, ku ka shprehur trishtimin, por edhe besimin e plotë se do të rikthehet më i fortë. “Ky është një moment i vështirë. Ky lëndim më trishton. Por jam i bindur se do të kthehem shumë më i fortë. Një sfidë tjetër, një mundësi tjetër për t’u përmirësuar”, ka shkruar ai. Futbollisti ka falënderuar të gjithë për mbështetjen dhe dashurinë, duke e mbyllur me fjalët: “E ruaj besimin!”
Në postim, Doué ka publikuar edhe një imazh të Ippo Makunouchit, personazhit nga anime-ja “Hajime no Ippo”, i njohur për vendosmërinë dhe mentalitetin e të mos dorëzuarit.
Ky është lëndimi i dytë i tillë te PSG brenda një muaji, pas Khvicha Kvaratskhelias, i cili pësoi të njëjtin lëndim më 20 tetor. Doué do të mungojë në ndeshjen e Ligës së Kampionëve ndaj Romës, të mërkurën më 25 nëntor./IndeksOnline/

