Hungaria ka hapur për publikun dosjet e policisë sekrete të epokës komuniste; një hap ky i diskutueshëm, për të cilin qeveria thotë se do ta ndihmojë shoqërinë hungareze të shërohet nga traumat e 45 viteve të sundimit komunist.
Kritikët shprehen se kjo masë vjen tepër vonë, se dosjet janë të paplota dhe se ky veprim rrezikon të mbjellë përçarje e t'u shkaktojë vuajtje të panevojshme familjarëve.
Data e hapjes së tyre është simbolike: më 4 nëntor 1956, tanket sovjetike hynë në Budapest dhe në qytete të tjera për të shtypur revolucionin jetëshkurtër të Hungarisë, transmeton Klankosova.tv
"I kërkoj gjithsecilit që ta trajtojë këtë publikim dokumentesh – që është dashur të bëhej kohë më parë – me dinjitet dhe njerëzi", u tha gazetarëve kryeministri Péter Magyar, në ambientet e arkivave shtetërore në Budapest.
"Shumë familje tani do të përballen me informacione të vështira, që shpesh lidhen me ndonjë të afërm të ndjerë", shtoi ai.
Sipas BBC, Magyar e mbrojti këtë nismë – e cila ishte një premtim kryesor i fushatës së tij zgjedhore, përpara fitores dërrmuese në zgjedhjet e prillit – duke e cilësuar atë si përmbushje të një zotimi të bërë nga ata që rrëzuan Partinë Komuniste në Hungari, në vitin 1989.

