Policia e Kosovës ka njoftuar se është paraqitur vullnetarisht i dyshuari për rastin e përdorimit të armës gjatë një ahengu në Han të Elezit, ngjarje e cila kishte ndodhur më 20 korrik 2026.
Sipas njoftimit të Policisë, më 22 korrik 2026, i dyshuari me inicialet M.M., 22 vjeç, ka dorëzuar një armë me gas.
“Arma është konfiskuar në cilësinë e provës materiale, ndërsa i dyshuari është intervistuar dhe me urdhër të prokurorit të shtetit, është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Rasti po hetohet për veprat penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorim i armës ose mjetit të rrezikshëm”.
Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në hetimin e rasteve dhe identifikimin e personave që cenojnë rendin dhe sigurinë publike, duke kërkuar bashkëpunim nga qytetarët për raportimin e rasteve të tilla. /Telegrafi/
