Bedri Hamza mësohet se ka ofruar dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, ndërsa kjo çështje është diskutuar edhe në takimet e fundit të kryesisë së këtij subjekti politik.
Burime të Klan Kosovës brenda PDK-së kanë konfirmuar se dorëheqja e Hamzës është diskutuar, por deri më tani nuk ka një vendim përfundimtar.
Ndërkohë, Zyra për Informim e PDK-së, për Klankosova.tv ka deklaruar se nuk ka asnjë vendim zyrtar lidhur me këtë çështje. Nga partia kanë rikujtuar se Hamza ka bërë të ditur publikisht se, me hapjen e procesit të zgjedhjeve të brendshme, do të japë dorëheqje dhe nuk do të rikandidojë për kryetar.
Në përgjigjen e saj, PDK-ja ka theksuar se aktualisht është e përqendruar në finalizimin e hapave për mbështetjen e mbrojtjes së ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, në fazën e Apelit.
Nga Zyra për Informim kanë bërë të ditur se për çdo vendim dhe zhvillim zyrtar brenda partisë, opinioni publik do të njoftohet në kohën e duhur.

