Në Amfiteatrin e Sheshit “Zahir Pajaziti” është mbajtur dita e tretë e edicionit të katërt të Festivalit dhe Panairit të Librit për Fëmijë.
Fëmijët gjatë ditës kanë pasur mundësi të marrin pjesë në një program të pasur me aktivitete kulturore, edukative, artistike dhe kreative, përfshirë muzikë, takime me shkrimtarë, punëtori elektronike dhe aktivitete që nxisin kreativitetin dhe të mësuarit përmes historive.
Programi nisi në ora 10:00 me aktivitetin “Muzikë me Erletën: We Will Rock You”, ndërsa nga ora 11:00 deri në 12:00 QKSGJ zhvilloi aktivitetin “Për të gjithë”.
Nga ora 12:00 deri në 13:00, fëmijët u takuan me shkrimtaren Dije Demiri Frangu, ndërsa programi vazhdoi me Akademinë JCoders dhe aktivitetin “Eksploro Elektronikën me Labbox”.
Në orët e pasdites, Teach for Kosova zhvilloi aktivitetin “Kutia magjike e historive”, i cili u pasua nga “Historia që ndërtohet bashkë”.
Pjesë e festivalit janë edhe shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, duke u ofruar vizitorëve mundësinë të njihen me botime të ndryshme për fëmijë dhe të rritur.
Organizatorët kanë theksuar se festivali synon të kontribuojë në rritjen e kulturës së leximit në Kosovë, veçanërisht te gjeneratat e reja.
Sipas hulumtimeve të organizatës ETEA, në vitin 2024, 53 për qind e qytetarëve të Kosovës nuk kanë arritur të përmendin tre tituj librash që kanë lexuar gjatë gjithë jetës. Ky rezultat, sipas organizatorëve, tregon nevojën për iniciativa që e afrojnë librin me fëmijët dhe e bëjnë leximin pjesë të natyrshme të jetës së tyre.
Përmes takimeve me autorë, ilustrues, aktiviteteve edukative dhe programeve kreative, festivali synon të nxisë një raport më të afërt të fëmijëve me librin dhe të kontribuojë në krijimin e një gjenerate të re lexuesish.
Edicioni i katërt i Festivalit dhe Panairit të Librit për Fëmijë organizohet nga ETEA dhe Biblioteka “Hivzi Sylejmani”, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe Komunës së Prishtinës.
Edicioni i sivjetmë sponsorizohet nga Shtëpia Botuese Albas, NLB Banka, IPKO, Rugove, Delta Security, Agora dhe Fave. /Telegrafi/