Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule te varri i Heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku, në kuadër të shënimit të 26 Korrikut, Ditës Memoriale për Policët e Rënë në Detyrë.
Pas nderimeve në varrin e heroit në fshatin Samadrexhë të Vushtrrisë, Kurti, së bashku me delegacionin shoqërues, ka vizituar edhe familjen Bunjaku.
Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, ra heroikisht më 24 shtator të vitit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit, gjatë përballjes me grupe paramilitare-serbe, teksa ishte në mbrojtje të sovranitetit, integritetit territorial dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Në këtë ditë përkujtimore, institucionet e Kosovës kanë nderuar kujtimin e policëve që kanë humbur jetën në krye të detyrës.
“Lavdi Heroit të Kosovës Afrim Bunjaku dhe të gjithë policëve të rënë në detyrë!”, thuhet në njoftimin e kryeministrit në detyrë Kurti. /Telegrafi/
