KORREKT / SOT17 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Dita e katërt e protestës në Tiranë, policë e protestues të lënduar – çfarë ndodhi në 11 orë përplasje

Dita e katërt e protestës në Tiranë, policë e protestues të lënduar – çfarë ndodhi në 11 orë përplasje

Dita e katërt e protestës së nxënësve dhe studentëve kundër qeverisë shqiptare, e mbajtur të premten, në Tiranë, u karakterizua nga përplasje të ashpra mes protestuesve dhe Policisë, përdorimi i gazit lotsjellës dhe mjeteve piroteknike, si dhe dëmtime të pronës publike.

Protesta, e cila nisi rreth orës 09:00 në sheshin “Skënderbej”, u shtri në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit shqiptar.

Rreth mesditës, situata u tensionua pranë Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Ekonomisë, ku protestuesit hodhën gurë dhe sende të forta në drejtim të godinave. Policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë turmën, ndërsa pranë Ministrisë së Ekonomisë u raportua se dera hyrëse mori flakë.

Përplasje u regjistruan edhe pranë Kryesisë së Kuvendit, ku protestuesit tentuan të hynin në godinë, duke thyer dritare dhe goditur dyert. Ndërkohë, përpara Kryeministrisë, përplasjet me gurë dhe mjete piroteknike, si dhe përdorimi i gazit lotsjellës, vazhduan për disa orë.

Përveç Tiranës, tubime dhe tensione u raportuan edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, përfshirë Lezhën, Durrësin, Korçën, Vlorën, Shkodrën, Elbasanin dhe Kukësin.

11 persona të lënduar gjatë protestës

Sipas të dhënave të paraqitura nga autoritetet shëndetësore dhe Spitali Universitar i Traumës, 11 persona kanë marrë ndihmë mjekësore si pasojë e përplasjeve gjatë ditës.

Prej tyre, gjashtë janë protestues, përfshirë tre të mitur, tre efektivë të Policisë dhe dy kalimtarë të rastit. Dy protestues dhe një polic raportohet se kanë mbetur nën kujdesin mjekësor në urgjencë, në gjendje të mirë ose të stabilizuar shëndetësore.

Ndërkohë, sipas drejtorit të Departamentit për Sigurinë Publike, Dhimitraq Ziu, numri i punonjësve të Policisë të lënduar në nivel kombëtar gjatë katër ditëve të protestave ka arritur në 120.

Pezullohen dy policë, caktohen masat për 19 protestues

Zhvillimet e ditës u pasuan nga masa administrative dhe procedura gjyqësore.

Dy efektivë të Policisë janë pezulluar nga detyra nën dyshimet për tejkalim të kompetencave, pas publikimit të pamjeve filmike ku shihen duke goditur me shkopinj gome dhe shkelma një protestues të shtrirë në tokë.

Ndërkohë, Gjykata e Tiranës ka caktuar masat e sigurisë për 19 protestues të arrestuar gjatë ditës së parë të tubimeve. Një person është lënë në paraburgim, 12 janë caktuar me masën e detyrimit për paraqitje, ndërsa gjashtë të tjerë janë vendosur në arrest shtëpie.

Sipas të dhënave zyrtare, në Tiranë janë arrestuar gjithsej 127 persona, ndërsa 244 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Paralelisht, strukturat e Hetimit të Krimit Kibernetik dhe Antiterrorit kanë identifikuar kanale komunikimi në internet, ku dyshohet se janë shpërndarë thirrje për dhunë, mesazhe ekstremiste dhe kërcënime ndaj punonjësve të Policisë.

Paqe në fund

Pavarësisht tensioneve të regjistruara gjatë ditës dhe kërkesave të protestuesve për ndryshime politike dhe largimin e kryeministrit, protesta u mbyll me një moment pajtues mes protestuesve dhe efektivëve të Policisë përpara Kryeministrisë.

Pas shpërndarjes së protestuesve në disa zona të kryeqytetit, përfshirë zonën e Tajvanit, Rrugën e Elbasanit dhe Unazën, tubimi vijoi në mënyrë paqësore për disa orë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara se të përfundonte rreth orës 20:00./Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.