Hasi ka dhënë kontribut të veçantë në luftën për çlirimin e Kosovës nga Serbia. Çdo shtëpi hasjane kishte hapur dyert për të strehuar e ndihmuar djemtë e vajzat e Kosovës që i kishin kthyer pushkën armikut shekullor. Në ditët më të vështira që po kalonte Kosova në ’98-’99, hasjanët nga Shqipëria e Kosova u bënë bashkë për të ndihmuar njëri-tjetrin. 27 vjet pas, Hasi i bashkuar kujton 43 dëshmorët e kombit, 14 prej të cilëve ishin nga Hasi i Shqipërisë.
Në fund të viteve ’90, kufiri që ndante Hasin e Kosovës me atë të Shqipërisë u shndërrua në portën e triumfit të lirisë, për të ndihmuar vëllezërit e një kombi. Nga Hasi i Shqipërisë, që dikur ndahej me një kufi të hekurt, u rreshtuan në luftë shumë djem e vajza. Afërdita, nga Shqipëria, nusja e Besmir Bratit, motra e Naim Qemës, ruan të pacenuar kujtimin për burrin dhe të vëllanë, që i ranë në fushën e nderit në të njëjtën ditë.
“Që ditën që ka fillu lufta e Kosovës, shumë, të gjithë pa përjashtim iu bashkangjitën UÇK-së. Shumë keqardhje, e ndjeshim sikur lufta është si për ju në Kosovë, si për ne në Shqipëri”, tha Afërdita Brati, bashkëshortja e dëshmorit Besmir Brati.
Bashkëshortja e Gaspër Karaqit e kishte ndjerë vdekjen e bashkëshortit.
“E kam parandjerë, të mërkurën në mbrëmje e kam parandjerë, të enjten ka shku në shkollë, dhe prej atij momenti nuk kam qenë e qetë. Dy ditë pas është gjet i vdekur, shumë vështirë, shumë”, tha Bora Karaqi, bashkëshortja e dëshmorit Gazpër Karaqi.
“Gëzohem se e shoh të lirë, e shoh lirinë, pavarësinë e shoh, shoh se po shkon gjithçka përpara, por pengu jonë, na mungojnë si burri dhe vëllai, sepse i kam rrit tre fëmijë jetimë, një nënë 25 vjeçe”, tha Afërdita Brati, bashkëshortja e dëshmorit Besmir Brati.
Pas 27 vjetësh, kur Hasi tashmë ishte bashkuar, kufijtë mes shtetit shqiptar kishin rënë, por Porta e Lirisë, me emrat e 43 bijve hasjanë, do të qëndrojë këtu krenare, që t’u tregojë brezave se liria nuk erdhi lehtë.
“Hasi e ka vendos me një kryesi shumë të sinqertë që me këtë datë 4 qershor të respektohen të gjithë dëshmorët e Hasit njëjtë, ta kemi një datë dhe të vendosim një lule të përbashkët të gjithë njëjtë”, tha Xhevdet Thaçi, kryetar i OVL-së në Has.
Dëshmorët i nderuan bashkë familjarë të dëshmorëve, si dhe organizata të dala nga lufta, ndërsa familjet e dëshmorëve nga Shqipëria morën nga një kujtim nga ky përvjetor, një flamur kombëtar dhe mirënjohje pa fund.
