Tensione janë shënuar edhe të martën para Kryeministrisë në Tiranë, ku protestuesit janë përplasur me efektivët e Policisë së Shtetit.
Sipas raportimit të Top Channel, përplasjet kanë ndodhur në Bulevard, pasi protestuesit kanë tentuar të qëndrojnë para zyrës së kryeministrit Edi Rama, por policia nuk i ka lejuar dhe i ka zhvendosur në trotuarin pranë Kryesisë së Kuvendit.
Situata është tensionuar edhe më tej kur efektivët e policisë kanë tentuar të shoqërojnë një nga protestuesit.
Në këtë moment, disa qytetarë kanë ndërhyrë për të penguar policët që ta marrin personin në fjalë, duke shkaktuar përplasje mes tyre.
Tensione të ngjashme ishin shënuar edhe një ditë më parë para godinës së Kryeministrisë, ndërsa protesta ka vazhduar edhe të martën.

