Hapja e xhamisë në rrugën “Xhemajl Mustafa” në Podujevë është shoqëruar me kundërshtime verbale nga një grup personash lidhur me emërimin e imamit nga Bashkësia Islame e Kosovës, por pa incidente që do të cenonin rendin dhe sigurinë publike.
Kështu ka njoftuar Policia e Kosovës, e cila potencoi se situata gjatë aktivitetit ka qenë përgjithësisht e qetë dhe nën kontroll, ndonëse në lokacion kanë qenë të pranishëm qytetarë me qëndrime të ndryshme lidhur me emërimin e imamit.
“Gjatë zhvillimit të aktivitetit, situata në përgjithësi ka qenë e qetë dhe nën kontroll. Në lokacion kanë qenë të pranishëm qytetarë me qëndrime të ndryshme lidhur me emërimin e imamit nga Bashkësia Islame e Kosovës, mirëpo nuk janë shënuar incidente që do të cenonin rendin dhe sigurinë publike”, ka bërë të ditur Policia në njoftim.
Sipas Policisë, hapja e xhamisë është bërë në orën 13:00 kur edhe kanë filluar ritet fetare.
“Një grup personash kanë shprehur kundërshtimet e tyre përmes thirrjeve dhe zhurmës verbale, por situata është menaxhuar pa nevojën e ndërhyrjes policore. Pas një periudhe të shkurtër, personat në fjalë janë larguar nga objekti, ndërsa ceremonitë fetare kanë vazhduar normalisht”, njoftoi Policia.
Ky institucion ka vlerësuar sjelljen e qytetarëve dhe bashkëpunimin e treguar gjatë këtij aktiviteti, “duke kontribuar që ngjarja të zhvillohet pa incidente dhe pa pasoja për sigurinë publike”. /Klankosova.tv

